Muhaxhiri: Zgjedhjet s’po shihen kund, e AAK po rrezikon me protestë

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, tha se nuk ka ndonjë tregues që çon ka zgjedhjet e reja, së shpejti, për shumë arsye – përfshirë edhe pozicionimin e faktorit ndërkombëtar.

Lajme

11/05/2016 19:19

“Kështu si është koalicioni tani ekziston një ndarje e pushteteve e fuqisë, koalicionet e partive të mëdha nuk është e preferueshme sepse çdokush preferon një koalicion më të vogël. Nuk besoj se ka ndonjë indikacion për zgjedhje të reja, sidomos pas prishjes së koalicionit, gjithashtu edhe faktori ndërkombëtar ka qenë kundër”, tha Muhaxhiri për Klan Kosovën.

Ai ka kritikuar qeverinë për arrogancënc e  treguar në raport me opozitën, e cila sipas tij, duhet të rivendoset, pasi kundër asaj mund të përdoret karta e mosdëshirimit të liberalizimit të vizave.

“Kjo qeveri ka qenë arrogante me opozitën, e ka injoruar atë dhe nuk i ka marr parasysh shqetësimet e tyre”.

“Opozita do të duhet ta ripozicionoj veten sepse nëse nuk gjenden modalitete sidomos në rastin e demarkacionit do të jetë shumë vështirë për ta. Pasi do të luhet karta se Opozita nuk po e dëshiron liberalizimin e vizave”.

Sa i përket protestës së paralajmëruar më 14 maj nga AAK dhe NISMA, Muhaxhiri ka deklruar se do të jetë e “rrezikshme” për AAK-në, pasi në rast të numrit të vogël të protestuesve do të gjykohet ndarja nga Vetëvendosja, njofton Klan Kosova.

“Me këtë protestë do të rrezikojë shumë AAK-ja nëse nuk arrin të mbledhin njerëz, por edhe mund të fitojnë nëse arrijnë mobilizim. Nëse ka numër të vogël të protestuesve do të dëshmohet si një gabim edhe i zotit Haradinaj edhe zotit Limaj se janë larguar nga partia kryesore e opozitës që është Vetëvendosje”.

“AAK-ja do mundohet të sjell njerëz nga rajonet ku është më e fortë si Gjakova, Peja, Deçani etj. Besoj që nuk do të jetë protestë e njëjtë siç ka qenë me Vetëvendosjen, ky do të jetë një test për zotin Haradinaj dhe Limaj ta shohin cila është fuqia e tyre reale. Kjo do ta determinoj edhe ecjen e tyre të mëtutjeshme. Kauza kryesore e AAK-së është dëmtuar me këtë kusht për liberalizimin e vizave”.