Muhaxhiri: Isa Mustafa të bëhet i sinqertë për gjendjen shëndetësore

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka folur për atë se si po funksionon Lidhja Demokratike e Kosovës pa prezencën e liderit, Isa Mustafa, që për disa muaj ishte në tretman mjekësor jashtë vendit.

Lajme

19/04/2018 22:51

“Ky ishte akt moral, respekt ndaj Isa Mustafës dhe gjendjes së tij shëndetësore. Por po ashtu mendoj se Mustafa duhet ta respektojë LDK-në, të bëhet i sinqertë dhe të tregojë në mënyre reale gjendjen e tij shëndetësore”.

“Mungesa e tij e dëmton LDK-në. Një parti e madhe që nuk ka lider afër, nuk është një gjë pozitive”.

“Me kalimin e kohës edhe ky aspekti moral do të zbehet. Tani është i fortë se është fillimi”.

“Nëse Mustafa rikuperohet në aspektin fizik, atëherë ardhja e tij do të energjizojë LDK-në dhe do t’i japë kuptim këtij akti moral që po bën LDK-ja për hir të gjendjes shëndetësore të tij”.

Muhaxhiri si i ftuar në Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se nëse Isa Mustafa nuk mund të kthehet në drejtimin e LDK-së, duhet të hapë rrugë.

“Analizat tregojnë se do ta ketë problem funksionimin si lider i partisë. Është mirë të tregojë edhe për të mirën e strukturave. Atëherë duhet të fillojë proces për një zëvendësim të tij, qoftë me strukturë komplekse ose të përbërë prej disa individëve që mund të shërbejnë si udhëheqësi provizore ose ndonjë mënyrë tjetër”.

Sipas Muhaxhirit, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka qenë në pozitë më të mirë politike tash e sa kohë.

“LDK ka 14 vjet që nuk ka qenë në pozitë më të volitshme se tash”.

“Është një PDK që ka problem të brendshëm dhe me tranzicionin Thaçi dhe Veseli, AAK është një parti që nuk ka pretendime të bëhet partia e parë ose e dytë, Vetëvendosja që ishte partia e parë u përça”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është në pozitë të volitshme, një pozicion i tillë nuk do t’i paraqitet më”.

“Sikur Vetëvendosja të qëndronte e plotë do të ishte problem për LDK-në se inercioni i votave nuk humbet shpejt. Sikur Vetëvendosja të qëndronte e plotë do të kishte sukses edhe në zgjedhjet e ardhshme sepse nuk humben votat me lehtësi të madhe, ashtu sikur nuk fitohen”.

Ai ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i kushtojë vëmendje dhe të punojë në vendet ku ka pasur probleme më herët.

“Ka vende edhe rajone në të cilat LDK-ja ka pasë probleme vazhdimisht. Në Prizren që është qyteti i dytë në Kosovë tash e tri mandate ka probleme, po ashtu edhe në Dukagjin, Gjakovë dhe Mitrovicë”.

“LDK e ka momentin e fundit që të fokusohet që të korrigjojë gabimet e të kaluarës sepse e ka mundësinë”.