Muhaxhiri: Albin Kurti të sillet si lider, të krijojë kushte për proces normal zgjedhor

Njohësi i çështjeve politike Artan Muhaxhiri, ka thënë se në Vetëvendosje duket se ekzistojnë dy kampe: ai i Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt.

Lajme

12/12/2017 19:09

“Mirëpo, edhe brenda tyre nuk është krejtësisht mendime të unifikuara”, ka thënë Muhaxhiri në Info Magazine.

“Shpend Ahmeti mund të ketë peshë të madhe në mbizotërimin e njërës palë apo tjetrës, sepse është politikan shumë i rëndësishëm në këtë kontekst”.

“Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti dallojnë shumë, sepse Kurti e ka ndërtuar profilin e tij politik në bazë të betejave intelektuale dhe politike me sistemin, me gatishmërinë e vazhdueshme edhe për konfrontime fizike”.

“Shpend Ahmeti është ndryshe. Ai ka ardhur në Vetëvendosje nga FER-i, që e ka përfaqësuar opsionin e një partie të bazuar në elektoratin qytetar”.

“Edhe fitorja e tij në Prishtinë e ka dëshmuar këtë imazh. Ai edhe në hulumtime gjithmonë ka dalë mirë. Për Ahmetin ekziston një simpati edhe në qytetet tjera të Kosovës. Kjo ndodh edhe për arsye se qytetarët mbase e dëshirojnë një Vetëvendosje më të moderuar”.

Muhaxhiri tutje ka thënë se akoma nuk dihet nëse Albin Kurti do të kandidojë për prijës të Vetëvendosjes në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.

“Më e rëndësishmja është që Albin Kurti të sillet si lider dhe të krijojë kushte për një proces normal zgjedhor”.

“Ne të gjithë kemi bërë ironi kur Visar Ymeri ishte kandidati i vetëm për kryetar të Vetëvendosjes – ishte zhgënjyes ai proces zgjedhor për të parin e partisë”.

“Nëse kësaj here Vetëvendosja nuk krijon kushte për zgjedhje normale, padyshim se do të bëhet sikur partitë tjera”.