Muçaj angazhohet jashtëligjshëm për të zëvendësuar Bajramin në Universitet

Florent Muçaj, asistent i rregullt i Fakultetit Juridik në universitetin “Hasan Prishtina” dhe njëherësh anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) është angazhuar që të mbajë ligjërata në studimet themelore, në rast të mungesës së mentorit të tij, ministrit të Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Lajme

13/03/2015 07:57

Angazhimi i tij është bërë me kërkesën ministrit, shkruan sot Koha Ditore.

Kërkesa e Bajramit është proceduar në Fakultetin Juridik më datën 9 janar të këtij viti dhe është aprovuar në Këshill të Fakultetit. Prej kësaj date, Muçaj e ka ushtruar detyrën e profesorit. Megjithatë, ky autorizim është bërë në kundërshtim me Statutin e UP-së, i cili saktëson se një asistent mund të ligjërojë vetëm kur mungon profesori në lëndën e caktuar dhe se ai duhet të jetë asistent i rizgjedhur.

E në këtë rast, ekziston profesori i lëndës, pra profesori Bajrami, dhe për më tepër Muçaj ende nuk i ka bërë tre vjet prej se është zgjedhur asistent i rregullt për herë të parë, që nënkupton se nuk është asistent rizgjedhur dhe nuk e përmbush këtë dispozitë të Statutit.

Lidhur më këtë ministri Bajrami ka thënë se Muçaj ata e zëvendëson vetëm kur ky ka udhëtime zyrtare, dhe se orët i përdorë për ushtrime e jo për ligjërata.

Ekziston praktika  e rregullt e Fakultetit, e cila  thotë se asistentët të janë kandidatë për doktoraturë kohë pas kohe mund të angazhohen edhe në asistimin e profesorit në aspekte të tjera mësimore”.

Asnjëherë deri  tash Muçajt nuk i ka rënë të më zëvendësojë. Mund të shihni në procesverbalet e ligjëratave. Kjo është bërë vetëm në rastet kur jam në udhëtim zyrtar dhe asistenti sigurisht që në këto raste nuk mban ligjëratë,por orët e profesorëve i përdor për ushtrime”, ka thënë ai.