Muaji i Ramazanit, javën tjetër

Në të gjithë globin më shumë se 1 miliardë myslimanë fillojnë muajin e Shenjtë të Ramazanit. Liderët fetarë nga e gjithë bota kanë bërë thirrje për një muaj paqe e solidariteti.

Lajme

31/05/2016 19:36

Sipas kalendarit mysliman muaji i Ramazanit fillon më 6 qershor dhe dita e parë e Fiter Bajramit është me 7 korrik.

Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.

Agjërimi nuk është thjesht të mbeturit pa ngrënë. Do të ishte shumë e gabuar nëse e vlerësojmë agjërimin vetëm në këtë aspekt. Shprehja “që të mbroheni” që ndodhet në fund të ajetit të Kur’anit ku thuhet se agjërimi është obligim (farz) flet për domethënien e agjërimit. Profeti islam Hazreti Muhamed thotë se agjërimi është një mburojë.

“Atëherë ai që agjëron të mos thotë fjalë të këqija. Atij që kërkon ta ngacmojë dhe grindet me të ti thotë dy herë se është me agjërim”, thotë profeti i madhëruar. Ashtu siç e ruan mburoja të zotin nga armiku, në të njëjtën mënyrë e ruaj edhe agjërimi njeriun nga të këqijat dhe gjynahet.