MTI-ja themeloi OJQ-në, i dha 20 mijë euro subvencion për qira dhe shërbime tjera

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) janë dhënë dhjetra mijëra euro donacione OJQ-së “Jakova Invation Center”, e cila udhëhiqej nga dy zyrtarë të lartë qeveritarë, përkatësisht nga Valdrin Lluka, kryeshef i Agjencisë për Promovim dhe Investimeve dhe Eljana Naka, sekretare e përhershme në këtë Ministri.

Lajme

03/12/2014 09:11

Gazeta “Zëri” ka siguruar një dosje me dokumente, ku thuhet se gjatë udhëheqjes së ish-ministrit Bernard Nikaj, më 27 maj 2014, MTI kishte marrë vendim t’i ndajë 20 mijë euro në formë subvencioni OJQ-së me emrij “Jakova Innovation Center”, ku drejtor i së cilës ishte Valdrin Lluka, i cili njëherësh është edhe kryeshef i Agjencisë për Promovim dhe Investimeve, e cila funksionon në kuadër të kësaj ministrie.

Ndërkaq, kryetare e Bordit të kësaj OJQ-je ishte Eljana Naka, e cila është sekretare e përhershme e kësaj ministrie.

Në bazë të marrëveshjes së mirëkuptimit më mes të Ministrisë dhe kësaj OJQ-je, e cila është nënshkruar para 6 muajve, 20 mijë eurot e ndara nga buxheti do të shkonin për qira, mirëmbajtje dhe pastrim, shpenzime të udhëtimit, konsulencë, internet, rrymë, dizajnim të ueb-faeqs, etj.

Në MTI ja kanë konfirmuar gazetës se shuma prej 20 mijë euro i është ndarë kësaj OJQ-je, por se ata thonë se themelimi i saj, ishte autorizuar nga vet ministria.

Por, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ndarja e këtyre subvencioneve kësaj OJQ-je nuk përbën konflikt interesi, ndonëse drejtues të saj kanë qenë persona që kanë punuar në MTI.

Në bazë të dokumenteve të siguruara nga “Zëri”, më 15 prill të këtij viti, bordi i kësaj OJQ-je, kishte marrë vendim që drejtor ekzekutiv ta emëroj Fatos Axhemin. Ndërsa më 27 maj, ish-ministri Nikaj ka nënshkruar marrëveshje me drejtorin e kësaj OJQ-je, Axhemin, ku qëllimi i saj ishte bartja e subvencioneve prej 20 mijë euro, shkruan Zëri.