MTI blenë1000 tonë grurë për rastet e jashtëzakonshme

Hambarit të rezervave shtatore do t'i shtohen edhe 1000 tonë grurë.

Lajme

15/12/2017 19:13

Kosova ka vite që ka filluar grumbullimin e rezervave shtetërore, kryesisht artikuj të nevojshëm, të cilët duhet të shfrytëzohen për nevojat e furnizimit të qytetarëve në raste të luftës apo fatkeqësive të ndryshme.

Sipas Planit strategjik për rezerva të vitit 2016- 2018, thuhet se buxheti për këto tre vjet është 360 mijë euro, shkruan lajmi.net.

Sipas këtij plani, rezerva të grurit, që konsiderohen kryesore për furnizim të qytetarëve, ka për 20 ditë për nevojat e konsumit për gjithë popullatën, sheqer – 15 ditë për nevojat e konsumit për 20.000 banorë, kurse nafta dhe derivatet e saj, për tri ditë të importit të përgjithshëm vjetor.

Por, shteti ka bërë sot një hapë drejtë shtimit të rezervave të grurit.

“Furnizim me grurë për nevoja të Rezervave Shtetërore”, quhet tenderi i realizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Për këtë tender kanë qenë dy ofertues, ndërsa fitues ka dalë  Ndërmarrja Tregtare Private ” KOS COMMERC ” nga Podujeva me çmim prej 216.500,00 eurove. Kompani kjo e cila është në pronësi të asamblistit të zgjedhur në zgjedhjet e fundit lokale 2017 nga radhët e LDK-së në Podujevë, Agim Behluli.

Nëse nuk do të ketë ankesa, kontrata pritet të nënshkruhet më 19 dhjetor.

Produktet që konsiderohen si rezerva shtetërore, menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa sipas legjislacionit, kontraktohen operatorët ekonomikë për ruajtje, të cilët po ashtu mbikëqyren vazhdimisht. /Lajmi.net/