MSA po zbatohet mirë, pritet vendim për vizat

Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim=Asocimit (MSA), që ka nisur nga fillimi i këtij muaji, është duke u zbatuar pa ndonjë problem të theksuar, me përjashtim të disa problemeve të vogla që i kanë raportuar importuesit e produkteve të mishit.

Lajme

30/04/2016 09:01

Kështu u tha të premten në konferencën “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit Kosovë – BE dhe zbatimi i saj”, organizuar nga Ministria për Integrim Evropian në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, në këtë konferencë tha se ky vit po formësohet në një vit evropian dhe se marrëveshja e MSA-së është marrëveshje historike, duke theksuar se shumë shpejt pritet edhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.

“Ky vit me të vërtetë po shënon një vit evropian çdo ditë e më shumë. Në prill e kemi shënuar hyrjen në fuqi të MSA-së që garanton një të drejtë fundamentale për zhvillim, që është edhe shtylla e kuqe e suksesit të BE-së si projekt i paqes, pra lëvizja e lirë e mallrave. Përderisa shuam shpejt presim që të kemi lajme të mira edhe në… lirinë e lëvizjes së njerëzve”, deklaroi Ilazi.

MSA, sipas tij, është një marrëveshje historike, një kontratë për të ardhmen e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë kosovare.

“Zbatimi i MSA-së është fokusi ynë sepse vetëm duke zbatuar MSA-në përafrojmë vendin tonë me BE-në dhe duke bërë një gjë të tillë ne do të forcojmë edhe sundimin e ligjit dhe ekonominë tonë”, tha Ilazi, sipas të cilit, me përfundimin e procedurave formale të miratimit dhe hyrjes në fuqi të MSA-së, midis BE-së dhe Kosovës, është përgatitur programi kombëtar për zbatimin e MSA-së, ku në këtë proces i udhëhequr nga Ministria e Integrimeve Evropiane përfshin 40 grupe punuese.