MSA-ja dhe përfitimet, prodhuesit kërkojnë heqjen e barrierave

Në fillim të muajit prill pritet të hyjë në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA). Kjo marrëveshje thuhet se do të thellojë lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Përveç tjerash kjo do të jetë një sinjale më i mirë që do t’u dërgohet investitorëve të jashtëm se Kosova është një ekonomi, e cila i plotëson kriteret bazike evropiane sa i përket funksionimit të ekonomisë së tregut.

Lajme

27/03/2016 12:34

 

Pronarët e bizneseve prodhuese në Kosovë e vlerësojnë nënshkrimin e MSA-së, por thonë se Qeveria e Kosovës është dashur të punojë më shumë në drejtim të zhvillimin e prodhimtarisë vendore.

Afrim Fazliu, pronarë i fabrikës së prodhimit të keqapit në Podujevë, “AMG”, thotë se pa u hequr barrierat brenda vendit, ata nuk janë në gjendje të eksportojnë në tregjet evropiane.

“Prej shtetit nuk kemi pasur asnjëherë përkrahje vetëm që kemi pasur pengesa. Tregun kosovarë e mbulojmë me një kapacitet bukur të mirë, shpresën nuk e humbin që do të kemi përkrahje nga shteti por deri në këtë moment ata nuk na kanë përkrah, deri tash kemi vetëm pengesa. Ne si prodhues që e importojmë lëndën e parë nga Gjermania na e paguajmë edhe d oganën edhe TVSH-në…Unë kisha kërkuar që neve të na krahasojnë me prodhuesit e rajonit si prodhuesit në Shkup, Serbi apo gjëkund tjetër, ata paguajnë 18 për qind, ne paguajmë 32 për qind, ne nuk po kërkojmë mjete financiare por po kërkojmë të na heqin taksat.”, tha Fazliu.

Profesori gjerman, Willkommen Herr, i dërguar nga Qeveria gjermane në Kosovë për të parë dhe analizuar prodhuesin e kompanisë AMG, pasi pronari i saj ka nënshtetësi gjermane, tha se nuk po krijohen lehtësira për prodhuesit.

“Jam i shqetësuar se si shteti nuk krijon lehtësira për prodhuesit vendor,krijon lehtësira për Kinën,nuk krijon lehtësira për prodhuesit vendor”, tha Herr.

Herr tha se MSA është mundësi e mirë por shteti duhet të fokusohet në përmirësimin e prodhimeve vendore, në mënyrë që ato të mund të jenë prezentë në vendet e BE-së.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, tha se me hyrja në fuqi e MSA, hapë dyert për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“MSA pritet të hy në fuqi me 1 prill të këtij viti. Ne besojmë që hyrja në fuqi e MSA-së do të shënohet me një vizitë të rëndësishme nga Komisioni Evropian dhe me një bisedë gjithëpërfshirëse me komunitetin e biznesit në Kosovë dhe Shoqërinë Civile sepse kjo është marrëveshja më e rëndësishme deri tani që Republika e Kosovës ka arritur me BE-në…MSA, hapë dyert e vërteta dhe reale të anëtarësimit në BE, krahas kësaj hapë mundësi të tjera për Kosovën që të jetë përfituese e programeve të shumta të BE që kanë të bëjnë me shkëmbimin midis shteteve aspiruese dhe atyre anëtare”, tha Ilazi.

 

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna tha për KosovaPress se dogana i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike për ta filluar implementimin e MSA.

Me hyrjen në fuqi të MSA, sipas Rafunës do të përshkallëzohet tarifat doganore për produktet të caktuara.

“Sa i përket llojeve të produkteve në mallrat të cilat do të tarifohen me 10 për qind janë ato mallra për të cilat ne kemi pasur interes që t’i mbrojmë produktet tona. Është një pjesë e produkteve bujqësore me 9 për qind tarifë doganore që hynë mallrat për të cilat ne kemi pasur nevojë që të kemi inkasim të detyrimeve importuese doganore… Në 8 për qind hynë një kategori e caktuar e mallra që për një fazë kalimtare deri në katër vite do të ketë nevojë për t’u mbrojt, sidomos për disa prodhime industrial. Ndërsa me zero për qind do të jenë ato mallra për të cilat nuk kemi pasur asnjë interes që t’i mbrojmë ose që të mbledhim taksa në ato lloj mallrave”, tha Rafuna.

Rafuna tha se nga hyrja në fuqi e MSA-së, sipas të dhënave të historiatit të vitit 2014, parashihet që humbja minimale të jetë 25 milionë euro kjo humbje mund të shkojë deri në 30 milionë euro.

Sipas tij, këto janë humbje të detyrimeve importuese doganore për gjatë një viti. Ndërsa produktet që BE-ja ka vënë kufizime janë, sheqeri, mishi dhe verëra.

MSA është marrëveshje ndërkombëtare e lidhur ndërmjet Kosovës dhe BE. Qëllimi i së cilës është themelimi i marrëdhënieve formale dhe kontraktuale ndërmjet dy palëve me qëllim të anëtarësimit të Kosovës në BE. MSA nuk e njeh Kosovën si shtet, por me fusnotë. Kosovën ende nuk e kanë njohur 5 vendet anëtare të BE-së./kp