MPJ: Serbia përdori shantazhet për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate zyrtare ka reaguar pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

Lajme

20/11/2018 13:27

Në komunikatë thuhet se MPJ shpreh shqetësimin e thellë për rezultatin e sotëm si dhe qasjen shantazhuese të Serbisë karshi zyrtarëve të INTERPOL-it, raporton lajmi.net.

Sipas MPJ-së anëtarësimi në këtë organizatë ka qenë proces i përmbushjes së kritereve teknike dhe profesionale, të cilin struktura drejtuese dhe menaxheriale e INTERPOL-it e ka vlerësuar pozitivisht.

Ky është reagimi i MPJ-së:

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e thellë për mos anëtarësim në Interpol dhe për qasjen shantazhuese të shtetit serb karshi zyrtarëve të Interpol-it dhe disa delegacioneve të vendeve Afrikane, si dhe dënon mësymjen e zyrtarëve të delegacionit të Serbisë në tentativën e tyre të korruptimit përmes mitos për disa nga zyrtarët pjesëmarrës të vendeve anëtare në Interpol.

Anëtarësimi në Interpol ka qenë proces i përmbushjes së kritereve teknike dhe profesionale, të cilin struktura drejtuese dhe menaxheriale e Interpolit e ka vlerësuar pozitivisht, por Serbia dhe disa nga shtetet me të cilat ajo qëndron në raport të ngushtë, e politizuan.

Republika e Kosovës falënderon të gjitha shtetet, që votuan pro anëtarësimit dhe do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me vendet aleate, SHBA-të dhe BE-në.

Kosova nuk do të ndalojë së rrugëtuari në procese ndërkombëtare në të gjitha fushat.