MPJ: Nuk do të ketë kthim masiv të emigrantëve nga Gjermania

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga autoritetet gjermane për kthimin e mundshëm të shtetasve të Kosovës.

Lajme

09/01/2015 16:23

Përmes një reagimi ndaj një shkrimi të botuar në njërën nga gazetat ditore të Kosovës me titull “Pritet kthim masiv i emigrantëve të Kosovës”, kjo ambasadë ka sqaruar se nuk është e vërtet që ka kontaktuar me asnjë kompani të fluturimit për kthimin e mundshëm të shtetasve të Kosovës që gjenden ilegalisht në Gjermani.

“Artikulli, duke u thirrur në burime të gazetës, shkruan se tashmë Ambasada e Kosovës në Gjermani ka kontaktuar me aviokompani, të cilave iu ka kërkuar të bëjnë oferta në lidhje me transportimin e emigrantëve nga Gjermania në Kosovë dhe se oferta është kërkuar të bëhet për një mijë emigrantë”.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin sqaron opinionin se deri më sot, asnjëherë, nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga autoritetet gjermane për kthimin e mundshëm të shtetasve të Kosovës”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Ambasada po ashtu asnjëherë nuk ka kontaktuar kompani të fluturimit për kthimin e mundshëm të shtetasve të Kosovës”.

“Ambasada e Kosovës në Berlin është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës për çdo gjë që lidhet me çështjet që kanë të bëjnë me shtetasit e Kosovës që ndodhen në Gjermani”.

“Sipas normave ligjore, çështja e kthimit është çështje e brendshme e Gjermanisë dhe Ambasada e Kosovës nuk ka as të drejt dhe as mundësi të përfshihet në këtë proces”.