MPJ: Një kosovar i plagosur në sulmin terrorist në shtetin e Malit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se një shtetas kosovar është plagosur në sulmin terrorist të kryer në Gao të Malit, ku dje u vra një shqiptar i Maqedonisë dhe një tjetër u plagos.

Lajme

10/06/2018 12:53

MPJ njofton se nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në Senegal ka marrë informacione se dje, në lokalitetin Gao në Mali, është kryer një sulm terrorist mbi veturën e punëtorëve të kompanisë “Ecolog”, e cila është nënkontraktuese e Misionit Paqeruajtës të OKB-së, MINUSMA.

“Sipas informacioneve të  siguruara nga MPJ, nga ky sulm terrorist, ka mbetur i vrarë  E.I. nga Tetova/Republika e Maqedonisë, ndërsa të  plagosur, por jashtë  rrezikut për jetën kanë mbetur D.M., shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Fushë-Kosovë dhe B.L., gjithashtu nga Tetova”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

“MPJ është njoftuar se të plagosurit janë në transfer e sipër për shërim në spital në Dakar/Senegal, ndërsa tashmë i ndjeri E.I. është në riatdhesim e sipër”.

Më tej thuhet, se Ambasada e Republikës së  Kosovës në Senegal dhe ambasadori Gashi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në lidhje me sigurimin e informatave se ku do të  vendosën të plagosurit dhe në momentin që të sigurohen informacione të tilla ai pritet që  t’i vizitojë  ata në  spital.

Ministria e Punëve të  Jashtme, sipas informacioneve të  para të  siguruara, dyshon se sulmi është kryer nga organizata terroriste Boko Haram.