MPJ: Nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol fitojnë të gjithë

Ministria e Punëve të Jashtme ka ritheksuar qëndrimin e saj zyrtarë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL i kontribuon fuqishëm rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit fqinjësor, rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit-transnacional dhe paralelisht me këtë ndihmon në forcimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit ndërkombëtarë.

Lajme

16/11/2018 15:10

“Ministria e Punëve të Jashtme është thellësisht e bindur se ky proces i shërben jo vetëm interesit kombëtar të shtetit të Kosovës dhe shtetasve të saj, por edhe të gjitha shteteve anëtare të kësaj organizate dhe shtetasve të tyre.Në mbështetje të kësaj Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se nga anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të fitojnë të gjithë shtetet anëtare dhe shtetasit e tyre, ndërsa humbës do të jetë vetëm krimi-trasnacional”, thuhet në njoftimin ministror, transmeton lajmi.net.

“Republika e Kosovës, respektivisht organet e saj të rendit dhe Ligjit në dhjetë vjeçarin e tyre të ekzistencës si shtet kanë demonstruar profesionalizëm të lartë dhe kanë marrë vlerësime të mëdha në kryerjen e suksesshme të operacioneve të përbashkëta trans-nacionale si me INTERPOL-in dhe Organizata të tjera, ashtu edhe si një anëtarë serioz, kredibil dhe i përkushtuar ndërkombëtarë në Koalicionin Koalicionin Global në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”.

​”Ministria e Punëve të Jashtme i ka prezantuar me kohë argumentet e saj bindëse ligjore dhe profesionale të gjitha shteteve anëtare në mbështetje të anëtarësimit të vendit në këtë Organizatë dhe i bën thirrje edhe njëherë të gjitha shteteve anëtare, që të votojnë në favor të rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit fqinjësor, rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit-transnacional, respektivisht anëtarësimit të  Kosovës”. /Lajmi.net/