MPJ: Gjuriq po bën teatër, kërkesa për të hyrë Kosovë i ishte aprovuar

Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj ka thënë se MPJ kishte aprovuar kërkesën e drejtorit të Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Lajme

05/09/2018 18:19

Përmes një postimi në Facebook, Zyberaj ka sqaruar se ishte Gjuriq ai i cili ka inskenuar gjoja refuzimin e kërkesës për hyrje në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo ishte vetëm një përpjekje e dëshpëruar e Gjuriqit për ta paraqitur Kosovën si palë jobashkëpunuese.

Ndërkohë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka thënë për lajmi.net se Gjuriq ka pasur leje për të hyrë në Kosovë, mirëpo i njëjti nuk ka hyrë për arsye të veta.

Ndërsa mediat serbe kanë raportuar sot se Gjuriqit i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Postimi i plotë i Zyberajt në Facebook:

Vetviktimizimi i zyrtarëve nga Serbia,

Me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, dëshirojmë t’ju njoftojmë që bazuar në rregullat dhe procedurat në fuqi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, pas pranimit të kërkesës për vizitë në Kosov nga ana e zotit Marko Gjuric e ka aprovuar kërkesën dhe e njëjta i është përcjellur edhe zotit Gjuric dhe autoriteteve përkatëse.

Andaj, teatri i inskenuar nga ana e zotit Gjuric për gjoja refuzim të kërkesës për hyrje në Kosovë, është vetëm një përpjekje e dëshpëruar e tij për ta paraqitur Kosovën si palë jo bashkëpunuese.

Në të kaluarën, sikurse që do të ndodhë edhe më tutje, MPJ miraton ose refuzon kërkesa. Dhe secilit vendim i kemi qëndruar ballëhapur. Nuk kemi nevojë për dramaticitet të shtirur në këtë fazë kur po punojmë intenzivisht për evropianizimin e rajonit.