MPJ fuqizon diplomatët e karrierës

Reforma ligjore në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, më së shumti ka avancuar pozicionin e diplomatëve të karrierës.

Lajme

03/09/2015 08:47

Në projektligjin e ri, i cili është miratuar dje nga Qeveria e Kosovës, risi është edhe kushtëzimi i pranimit në Shërbimin e Jashtëm me kalimin me sukses të një periudhe provuese prej dy viteve dhe kalimit me sukses të provimit pranues.

“Qëllimi i kësaj risie është që të rritet cilësia dhe përgatitja profesionale e diplomatëve të karrierës”, thotë këshilltari i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të MPJ-së, Ardian Arifaj për lajmi.net.

Ai thotë se dhënia e gradave diplomatike dhe avancimi në sistemin e karrierës diplomatike, me ligjin e ri janë vlerësuar si tepër të qarta edhe nga të gjitha palët me interes. “Kriteret për dhënien e një grade diplomatike janë periudha minimale e shërbimit nga njëra gradë në tjetrën, janë vlerësimi i punës, pastaj janë kualifikimet profesionale brenda ose jashtë vendit, kalimi me sukses i provimit dhe natyrisht nevojat e Shërbimit të Jashtëm”, thotë Arifaj.

Ardian Arifaj

Sipas tij, gradat diplomatike “Këshilltar”, “Ministër Këshilltar”, “Ministër Fuqiplotë” dhe “Ambasador” fitohen vetëm pas kalimit me sukses të provimit. Përveç kësaj, ai thotë se ka kritere shtesë edhe për marrjen e gradës diplomatike “Ministër Këshilltar” dhe “Ministër Fuqiplotë” si dhe atë “Ambasador”, siç janë përvoja sa i përket përvojës së punës në poste drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme, misioneve diplomatike ose posteve konsullore.

Në ligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm shihet se janë përcaktuar më akte edhe afatet kohore minimale për ngritjen në gradë diplomatike, siç është dy vjet nga Atashe në Sekretar i Tretë, dy vjet nga Sekretar i Tretë në Sekretar i Dytë, dy vjet nga Sekretar i Dytë në Sekretar i Parë, tre vjet nga Sekretar i Parë në Këshilltar, tre vjet nga Këshilltar në Ministër Këshilltar dhe tre vjet nga Ministër Këshilltar në Ministër Fuqiplotë.

“Për emërimet dhe gradimet në Shërbimin e Jashtëm vendos Komisioni i Karrierës Diplomatike”, thotë Arifaj. Kurse, kundër vendimeve të Komisionit të Karrierës Diplomatike, si dhe për çdo çështje tjetër në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e diplomatëve të karrierës mund të ngritët ankesë pranë Komisionit për Ankesa. Gjithashtu, edhe Komisioni i Ankesave përbëhet nga pesë anëtarë, ku të paktën tre prej tyre duhet të jenë diplomatë karriere me gradën diplomatike jo më pak se Ministër Këshilltar.

Sipas këtij ligji, diplomati i karrierës mund të ngrisë ankesë kundër vendimeve të Komisionit të Ankesave edhe pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili zbaton dispozitat e këtij ligji dhe zbaton përshtatshmërisht legjislacionin për shërbimin civil. “Me këtë sigurohet mbrojtja efektive dhe dyshkallëshe juridike për të gjithë diplomatët e karrierës”, thotë Arifaj.

Risia tjetër, sipas tij, është që përkundër faktit që diplomati i karrierës humb statusin e diplomatit me rastin e arritjes së moshës për pension, diplomati i karrierës mund të vazhdojë punën në Shërbimin e Jashtëm me vendim të Ministrit për Punë të Jashtme edhe pas mbushjes së moshës për pension, deri sa kjo është me interes për Republikën e Kosovës dhe derisa gjendja shëndetësore e diplomatit të karrierës e lejon këtë. Me këtë mundësohet edhe ruajtja e kuadrit profesional, përvojës diplomatike dhe të memories institucionale, sidomos duke marrë parasysh që Shërbimi i Jashtëm është shërbim relativisht i ri dhe ka nevojë që në perspektivë afatgjate të shfrytëzojë në mënyrë sa më efektive resurset njerëzore që i ka në dispozicion. /lajmi.net