MPJ e MPB të angazhuara për lirimin e Nehat Thaçit

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ai i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, kanë folur sot pas mbledhjes së Qeverisë,  për  arrestimin e Nehat Thaçit, drejtorit të Stacionit të Policisë në rajonin e Mitrovicës.

Lajme

30/09/2016 10:12

Ministri Hoxhaj tha se në situata të tilla nuk japin  deklarata por shpjegoi se MPJ-ja ka bërë dhe po bën maksimumin. “Normalisht që akte të tilla janë të papranueshme”, tha Hoxhaj, transmeton lajmi.net.

“Jemi marr në mënyrë intensive dhe do ta japim maksimumin që të bëjmë një zgjidhje të shpejtë”, tha ministri Enver Hoxhaj.

Duke folur për këtë çështje, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha se janë koordinuar përpjekjet  përmes kanaleve diplomatike që të arrihet që komandanti i Policisë  të lirohet sa më shpejtë, sepse nuk ka asnjë bazë ligjore që të mbahet në arrest.

“Është e papranueshme që në listat e Interpolit të jenë njerëz që kanë marrë pjesë në luftë”, tha ministri Hyseni.

Përndryshe, të mërkurën në mbrëmje, Nehat Thaçi, komandant i Policisë për rajonin e Mitrovicës është arrestuar në pikë kalimin kufitar në Konçul derisa hynte në territorin e Serbisë./lajmi.net