MPJ demanton Zërin: Petrit Selimi ka nënshkruar vedime me autorizim të Thaçit

Për hir të korrektësisë dhe informimit të drejtë, Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Punëve të Jashtme sqaron opinionin publik lidhur me konstatimet e pasakta të artikullit “Selimi shkel ligjin, nënshkruan për Thaçin”, të botuar në të përditshmen informative “Zëri” dhe të publikuar në disa medie elektronike.

Lajme

24/05/2015 12:32

Të gjithë zëvendësministrat mund të nënshkruajnë për ministrat, kur për këtë gjë janë të autorizuar nga ministri, zëvendëskryeministri apo kryeministri dhe kjo fushë është e rregulluar me Rregulloren 02/2011 për fushat e përgjegjësive të zyrës së kryeministrit dhe ministrive.

Neni 13, paragrafi 1.4 i kësaj rregullore, e cila është publike dhe mund të ketë secili qytetarë qasje në të, thotë se zëvendësministri me autorizim të ministrit apo në mungesë të tij, me autorizim të kryeministrit, mund të marrë përgjegjësi që i janë dhënë ministrit. Për shkak të agjendës së ngarkuar të zëvendëskryeministrit të parë Thaçi, për rastet kur ai nuk është në Kosovë, zëvendëskryeministri ka autorizuar zëvendësministrin Petrit Selimi që të nënshkruajë për çështje të rëndësishme që ndërlidhen me fushëveprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kjo nuk përbën kurrfarë shkelje ligjore.

Për më tepër, zëvendëskryeministri i parë Thaçi, që njëherësh është edhe ministër i Jashtëm i Kosovës, në mungesë të tij dhe në përputhje me aktet ligjore, mund të autorizojë edhe ministrat e dikastereve të tjera qeveritare apo edhe ambasadorët e Kosovës që të nënshkruajnë kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare.