MPJ as pohon as demanton lëvizjet në ministrinë e Hoxhajt

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj nuk e ka ndërmend të ndalet me ‘rehatime’ të stafit të tij të ngushtë. Pas ‘rehatimit’ të Uliks Emrës, Hoxhaj ka vendosur t’i rehatojë në pozita afatgjate edhe këshilltarët dhe asistentët e tij.  

Lajme

13/08/2014 22:48

Sipas portalit veriu.info, ministri Hoxhaj, për shkak të frikës së humbjes së pushtetit, tashmë ka urdhëruar që të sistemohet stafi i tij politik. Ditëve në vijim pritet të sistemohen dy asistentet politike të ministrit, Ines Demiri dhe Leurata Berisha, për të cilat edhe është hapur konkurs.

“Po ashtu, shumë shpejt pritet edhe sistemimi i këshilltarëve të ministrit (që kanë mbetur pa u sistemuar) në misione diplomatike dhe konsullore të Kosovës. Shefi i kabinetit të Hoxhajt, Pëllumb Kallaba pritet të shkojë në Hungari, ndërsa këshilltari politik, Bashmir Xhemaj pritet të shkojë në Romë”, thotë burimi brenda MPJ-së, i cili nuk pranon të deklarohet publikisht për shkak të frikës nga hakmarrja.

Veriu.info mëson se pas shkuarjes së Mirjeta Behlulit në mision në Slloveni (ish-ud. Sekretare e Përgjithshme), këtë pozitë e ka marrë Ambasadori Prenkaj, me premtimet që të gjitha këto lëvizje do t’i ndihmojë t’i bëjë.

“Prenkaj po planifikon që të fusë në fondin për kuadro njerëz të afërt të tij, Gylymsere Kundja, edhe pse nuk i plotëson kriteret (e ka rekrutuar vetë nga kontrata në vepër në Akademi Diplomatike)”, thotë burimi.

Zyrtari për informim në MPJ-së, Drilon Zogaj, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me e-mail në adresë të Ministrisë, por edhe të këshilltarit të ministrit, Bashmir Xhemajt, mirëpo edhe pse është premtuar kthimi i përgjigjes, deri më tash nuk është bërë një gjë e tillë. Pra, MPJ nuk i ka pohuar e as demantuar këto lëvizje të stafit politik të ministrit Hoxhaj