MPB zbaton urdhërin e Haradinajt për lehtësimin e procedurave për bashkatdhetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka zbatuar urdhërin e dhënë nga Kryeministri Ramush Haradinaj për masat lehtësuese të procedurës së udhëtimit në pikat kufitare.

Lajme

17/07/2018 21:43

Përmes llogarisë së tij në facebook, Gashi deklaron se Policia Kufitare do të reduktojë në minimum procedurat e përditshme për bashkatdhetarët, ndërsa ka përmenduar dhe shtimin e numrit të zyrtarëve policorë kufitarë, siç ka kërkuar sot Kryeministri Haradinaj.

”Me qëllim të përshpejtimit të procedurave në vendkalimet kufitare, Ministria e Punëve të Brendshme përmes Policisë Kufitare do të zbatoj masa lehtësuese të kontrollimit të dokumenteve.

Policia Kufitare do të reduktoj në minimum procedurat e përditshme të kontrollit të kalimit kufitar për bashkëatdhetarët tanë, varësisht nga nevoja do të rritet numri i zyrtarëve policor kufitar, do të vendosen pika shtesë të kontrollit si dhe do të merren masa tjera në mënyrë që të lehtësohen procedurat dhe pritjet e paarsyeshme të bashkatdhetarëve tanë në kufi, veçanërisht në pikat kufitare Dheu i Bardhë, Morinë dhe Merdare si pika kufitare më të frekuentuara gjatë sezonit veror”.