MPB vlerëson lartë profesionalizimin e treguar nga zyrtarët policor gjatë vizitës së Vuçiqit

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka përgëzuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët me punë dhe përkushtim po garantojnë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Lajme

09/09/2018 18:16

Më 8 dhe 9 Shtator 2018, me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, një delegacion nga Republika e Serbisë i udhëhequr nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka qenë në vizitë dy ditore në Republikën e Kosovës.

“Në këtë rast Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi, për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Policia e Kosovës sërish ka konfirmuar përkushtimin në punë si dhe nivelin e lartë të profesionalizmit, që e bën këtë institucion të dallohet në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën për media.

Gashi vlerëson lartë profesionalizmin e treguar nga të gjithë zyrtarët policorë dhe veçanërisht nga udhëheqësit e Policisë së Kosovës në krye me drejtorin e përgjithshëm të emëruar së fundmi, Rashit Qalaj.

Gashi vlerësoi po ashtu faktin që Policia e Kosovës punon pa dallime etnike e politike, duke dëshmuar kështu profesionalizmin dhe përkushtimin në punë.

“Misioni i Policisë së Kosovës është garantimi i zbatimit të ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase. Në përmbushjen e këtij misioni, Policia e Kosovës do ta ketë përkrahjen time të plotë, si ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Gashi.