MPB kundër EULEX’it

MPB thotë se EULEX nuk ka përfillur punën e Inspektoratit Policor të Kosovës kur ka ngritur aktakuzën ndaj 11 pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë.

Lajme

13/12/2013 13:32

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj aktakuzës së ngritur nga një prokuror i EULEX’it kundër 11 pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Në këtë reagim, MPB thotë se është njoftuar përmes medieve për ngritjen e kësaj aktakuze e cila lidhet me sjelljen e Policisë ndaj disa serbëve në janar të këtij viti.

MPB thotë se EULEX nuk a përfillur punën e Inspektoratit Policor të Kosovës, institucion i mandatar për të hetuar sjelljet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Pa dashur të interferohet në punën dhe pavarësinë e institucioneve të gjyqësorit, Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se përgjegjësia në rastin në fjalë është individuale në rast së ka fakte, por assesi përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet tërë grupit që ka qenë në detyrë”.

“Pa vënë në pikëpyetje ekspertizën dhe profesionalizmin e hetuesve të EULEX’it, Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se mosbesimi i treguar ndaj Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe marrja e rastit nga EULEX-i, pa përfillur IPK-në si institucion i mandatuar për të hetuar të gjitha rastet ku dyshohet se pjesëtarët e PK-së janë të përfshirë në vepra penale, ka zbehur kredibilitetin e gjithë-përfshirjes institucionale të të gjithë mekanizmave të thirrur për hetimin e rasteve në situata të tilla si kjo e fundit”.

“Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush”.

“Ministria e Punëve të Brendshme si institucion përgjegjës për zbatim të ligjit mbështet përpjekjet e misionit të EULEX-it për të mbështetur në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, por në të njëjtën kohë do të kujdeset për ruajtjen e imazhit të Policisë së Kosovës si institucion me besimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës dhe sidomos do të kujdeset për ngritjen dhe avancimin e mëtutjeshëm të Njësisë Special Operative si njësia me vitale në Policinë e Kosovës e cila ka dëshmuar profesionalizmin e saj përgjatë këtyre viteve duke menaxhuar shume situata sfiduese në mbrojtje të rendit dhe ligjit”, thuhet në reagim.