MPB ia paguan afër 5 milionë euro kompanisë austriake për pasaportat biometrike

Ministria e Punëve të Brendshme i ka paguar kompanisë austriake OeSD shumën prej 4 milionë e 950 mijë euro, sipas vendimit të marrë nga një gjykatë ndërkombëtare e arbitrazhit.

Lajme

31/05/2018 15:48

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra e informimit të MPB-së, ka thënë se pagesa për të cilën është dashur MPB t’i kryejë kompanisë austriake OsED për prodhimin e pasaportave biometrike, ka ndodhur vitin e kaluar.

“Ministria e Punëve të Brendshme ia ka paguar të gjitha obligimet kompanisë austriake OEsD, vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e MPB-së drejtuar KALLXO.com.
Shuma e paguar sipas zyrës për informim është 4 milionë e 950 mijë euro.

Kjo shumë e parave i është paguar kompanisë austriake për shkak të shkëputjes së kontratës për furnizim me pasaporta biometrike që MPB kishte me kompaninë OeSD, marrëveshje kjo e nënshkruar në vitin 2011 dhe e shkëputur në vitin 2013.
Pak javë pas skandalit të pasaportave, Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur ta anulojë kontratën me kompaninë austriake OeSD.