MPB ia lejon ProCredit Bank 1 ton fishekzjarre

Ministria e Punëve të Brendshme i ka dhënë leje Bankës ProCredit për hedhjen e një ton fishekzjarrëve.

Lajme

14/07/2018 16:10

Pasi që aktivistët mjedisorë kosovarë kanë bërë thirrje për bojkot të koncertit të këngëtares Elvana Gjata që pritet të mbahet të shtunën në mbrëmje në Prishtinë, duke thënë se fishekzjarrët e paralajmëruara rrezikojnë njerëzit dhe kafshët, MPB ka thënë se kjo bankë ka leje për hedhjen e tyre.

Në përgjigjet e dërguara për KALLXO.com zyrtarë të MPB-së kanë thënë që përdorimi i fishekzjarrëve lejohet me ligjin për përdorimin civil të eksplozivëve dhe se kjo ministri i ka dhënë leje PCB-së për hedhjen e një ton fishekzjarresh.

“Në këtë rast, ministria ka dhënë lejen për përdorimin e fishekzjarreve në oborrin e Bibliotekës Kombëtare,  kompania posedon pëlqimin e Bibliotekës dhe Komunës së Prishtinës për mbajtjen e evenimentit (këtu është përfshirë edhe koncerti dhe ndezja e fishekzjarreve)”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë BIRN.

Tutje thuhet se eveniment i njëjtë është mbajtur edhe viteve të kaluara, ku në vitin 2017 janë përborur 3000 kg fishekzjarre, ndërsa këtë vit është zvogëluar kjo sasi.

“..duke mare parasysh edhe çështjet e ambientit dhe të sigurisë, për  këtë vit ministria e ka aprovuar lejen me sasi të kufizuar prej 1000 kg”, thuhet në përgjigje.

Më pas ministria thotë se kjo sasi prej 1000 kg bruto, llogaritet sasia e letrës, kartonit, gipsit dhe dheut që përbëjnë fishekzjarret, kurse sasi neto te barutit këtu mund te ketë rreth 60 kg.