MPB dhe Policia: S’ka Njësi Speciale në veri, situata është e qetë

Situatë e qetë dhe stabile po vazhdon të jetë sot në Mitrovicë, megjithë paralajmërimet se atje mund të ketë eskalime të situatës.

Lajme

05/08/2018 12:30

Mediat vendore më herët gjatë ditës kanë raportuar se forca shtesë të policisë, përfshirë edhe Njësitë Elitare janë stacionuar në bazën “Belvedere”, të fshatit Frashër, shkruan lajmi.net.

Mirëpo një gjë e tillë është demantuar nga ministria e Punëve të Brendshme.

Zëvendësiministri i Brendshëm, Abduselami Shkodra, ka thënë për lajmi.net se asnjë nga Njësitë Speciale nuk ka lëvizur nga bazat e tyre, me përjashtim të atyre që janë të vendosura përherë në rajonin e Mitrovicës.

Ai ka shtuar se lajme të tilla nuk janë reale, ngase situata është e qetë edhe nuk ka asnjë arsye që Njësitë Speciale të grumbullohen.

“Nuk ka të bëj asgjë me të vërteten, lajme të tilla nuk janë reale, asnjë nga Njësitet Speciale nuk ka lëvizur nga bazat e tyre, me përjashtim të atyre që janë të vendosura në rajonin e Mitrovicës, dhe që janë të stacionuara me kohë të përhershme, situata është e qetë dhe nuk ka asnjë arsye që Njësitë Speciale të grumbullohen”, ka thënë Shkodra.

Edhe nga Policia e Kosovës thonë se situata në Mitrovicë është e qetë dhe se nuk ka arsye për shqetësim.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti, ka thënë për lajmi.net se situata është e qetë dhe se lëvizjet e policëve janë normale.

“Situata është krejt normale. Asnjë polic i njësive speciale nuk ka lëvizur në veri të vendit, me përjashtim të atyre që janë permanent në rajonin e Mitrovicës. Situata është e qetë dhe nuk ka as një lloj indicident deri në këtë kohë që të ketë ndonjë destabilizim apo trazira të ndryshme “, ka thënë Zahiti.

Kujtojmë se për situatën e ditëve të fundit, edhe Kosova edhe Serbia mblodhën Këshillin e Sigurisë./Lajmi.net/