Mourinho: Urime dhe përshëndetje

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho uron futbollistët e tij, kundërshtarin që i mposhti Sunderland, si dhe gjyqtarin Mike Dean dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Mike Riley.

Sport

19/04/2014 22:16

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho ka uruar ekipin e tij për lojën që shfaqi në humbjen 2:1 nga Sunderland, por edhe kundërshtarin dhe gjyqtarin Mike Dean.

Blues pësuan humbje të befasishme – e para në Stamford Bridge për Mourinhon me Chelsean në Premierligë – dhe zbehu shanset në garë për titull të kampionit.

“Nuk dua të pres për pyetjet e juaja, por në katër pika do të them atë që dua. Ju mund të më pyesni çka do që dëshironi por do të përgjigjen në mënyrë të njëjtë”, deklaroi Mourinho.

“Pika e parë është të uroj futbollistët e mi. Ata bënë gjithçka që mundën dhe luftuan nga minuta e parë e deri tek ajo e fundit. E dyta, dua të uroj Sunderlandin, Nuk ka rëndësi se si, në çfarë mënyre, ata fituan. Andaj mendoj se është e drejtë që t’i urojmë”, shtoi ai.

“E treta, dua të uroj sërish dikë. Kësaj radhe Mike Dean. Paraqitja e tij ishte e pabesueshme, dhe kur gjyqtari bën një paraqitje të pabesueshme është e drejtë që t’i urojmë. Ai erdhi këtu me një synim, synim që të bëjë një paraqitje fantastike dhe e bëri këtë. Urime edhe Mike Rileyt, ai është kreu i shoqatës së gjyqtarëve andaj ajo që ka bërë gjatë gjithë sezonit ishte fantastike, sidomos në muajt e fundit, sidomos për ekipet e përfshira në garë për titull andaj e uroj edhe Mike Rileyn”.