Mourinho, me ‘fëmijë’ në Liverpool

Jose Mourinho planifikon t’ua japë rastin futbollistëve të rinj, në ndeshjen e fundjavës në Liverpool. Trajneri portugez është më shumë i koncentruar tek Liga e Kampionëve, pasi i ka humbur shpresat për titull në Premierligë.

Sport

24/04/2014 12:15

Provokues, destabilizues, por ajo që çon më së shumti peshë, është kalkulues dhe pragmatik. Jose Mourinho është në qendër të vëmendjes në Britaninë e Madhe së fundmi.

Të dielën, Chelsea e tij do ta zhvillojë njërën nga tri ndeshjet e fundit të këtij sezoni në Premierligë, kur do ta vizitojë liderin Liverpool.

Reds mbeten pesë pikë avantazh ndaj Blues dhe gjashtë përpara Manchester Cityt, i cili megjithatë e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Por, kush mendon ta shikojë këtë ndeshje, ndoshta mund të mbetet i zhgënjyes. ‘Special One’ është i koncentruar më shumë në Ligën e Kampionëve dhe në Premierligë i ka humbur shpresat për titull, pas humbjes nga Sunderlandi.

Për këtë, portugezi po mendon që në Anfield Road ta vendos një ekip me futbollistë të rinj, të dorës së dytë dhe të tretë.

“Prioritet është Liga e Kampionëve dhe mendoj se në Liverpool do t’i vendos në fushë të rinjtë, edhe pse nuk varet gjithçka nga unë. Duhet të flas me Abramovich”, deklaroi fillimisht ai.

“Ndër të tjera, edhe pse jemi skuadra e vetme angleze në Evropë, askush nuk na ka mundësuar që ndeshja të luhet para të dielës. Është orar shumë i ngjeshur. Dhe tash, çka duan të tjerët?”, përfundoi ish trajneri i Portos, Interit dhe Real Madridit.

Nga deklaratat e Mourinhos është mllefosur Manchester City, i cili beson ende në titull, por i nevojitet që Chelsea ta mposht Liverpoolin dhe t’i fitojë ndeshjen e mbetura, për t’u shpallur më i miri.