Mourinho e xhelozon CV-në e Van Gaalit

Jose Mourinho është xheloz me ekipet që i ka udhëhequr në karrierë Louis van Gaal. Trajneri holandez ka treguar se portugezi ishte i pari që i shkroi mesazh dhe i uroi sukses, pasi e mori pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit.

Sport

20/05/2014 12:21

Louis van Gaal ka zbuluar se Jose Mourinho i ka shkruar atij mesazh pasi u emërua trajner i Manchester Unitedit, duke e pranuar se ishte xheloz për listën e klubeve që i ka menaxhuar trajneri holandez.

Lëvizja e Van Gaal drejt Old Trafford do ta pasurojë CV-në e tij, pasi në të kaluarën ka drejtuar klube të mëdha evropiane si Ajax, Barcelona e Bayern Munich.

“Jose Mourinho ishte njëri nga njerëzit e parë që më ka shkruar, kur e mora këtë punë. Ai më tha se ishte xheloz për klubet që i kam drejtuar”, deklaroi Van Gaal për televizionin holandez, RTL.

62 vjeçari po ashtu ka insistuar se nuk ka ndonjë mosmarrëveshje apo problem me Sir Alex Ferguson, i cili do të mbetet në bordin e drejtorëve tek United.

“Unë ndoshta do të pi me Ferguson, por ne e kemi bërë këtë edhe disa herë më parë. Nuk mendoj se presioni i tij do të jetë problem i madh”.

“Unë e kam vënë presion më të madh tek vetvetja. Ne duhet ta kthejmë Unitedin të madh, sa më shpejtë të jetë e mundur”.

“Ndoshta njerëzit mendojnë se kjo do të ndodh në sezonin e parë, por do ta shohim. Në fund, është vetëm një ekip që bëhet kampion”, përfundoi Van Gaal.