Mourinho e ka ilaçin për Atleticon

Andres Schurrle është i bindur se Jose Mourinho di se si ta eliminojë Atletico Madridin. Chelsea do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj skuadrës spanjolle dhe futbollisti gjerman ka besim të madh në trajnerin portugez.

Sport

29/04/2014 01:04

Andre Schurrle, futbollisti ofanziv i Chelseat, ka folur për FIFA.com, para ndeshjes së rëndësishme të së mërkurës mbrëma ndaj Atletico Madridit.

Futbollisti gjerman thotë se trajneri Jose Mourinho di se si ta menaxhojë situatën në ndeshje të tilla dhe beson se Blues mund të kualifikohen në finale të Ligës së Kampionëve.

“Jam i sigurt se Mourinho do ta ideojë një plan për këtë sfidë dhe do na tregojë se si të përballemi me ta. E kemi parë të gjithë kundër Atleticos, një skuadër agresive dhe e kujdesshme në mbrojtje, e gatshme të luftojë për çdo top”, deklaroi fillimisht ai.

“Duhet të jemi mjaft cinik në sulm. E kemi një skuadër të mbushur me eksperiencë, shumë prej atyre që janë këtu e kanë fituar finalen e Munichut më 2012. Mourinho i ka drejtuar skuadrat më të mira në botë, mund t’i ndihmojë shumë lojtarëve më të rinj”, përfundoi Schurrle, i cili e ka arsyetuar besimin e ‘Special One’, sa herë që i është dhënë rasti.