“Mourinho do të largohet nga United”

Ish-mesfushori i Inter, Paul Ince, ka folur për José Mourinho dhe ka sqaruar se si trajneri portugez mund të largohet nga Manchester United nëse merkato e zhvilluar nga krerët e “Djallit të Kuq” nuk do të kënaqte pritshmëritë e “Special One”.

Sport

07/08/2018 08:21

Një deklaratë e fortë kjo e ish-futbollistit të përfaqësueses së Anglisë, dhënë për median angleze “express.co.uk”.

“Jose ka thënë se do të qëndronte te United përjetësisht dhe për të qenë të ndershëm, shumë trajnerë do të thonin të njëjtën gjë nëse do të ishin në vendin e tij. Por, pastaj trajnerët vihen nën presion dhe duan gjithmonë të ndërtojnë diçka, duke afruar edhe futbollistë të rinj. Mourinho konstaton se në Premier League, Liverpool po shpenzon shumë dhe dëshiron të qëndrojë konkurues”, u shpreh Ince.

“Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, mund të përplaset me situatën. Fillimi i sezonit është thelbësor për United, duhet të kenë një sezon pozitiv. Nëse nuk ndodh, atëherë do të përfundonin në të njëjtën situatë si vitin e kaluar, kur tifozët u rebeluan ndaj tij. Nëse do të ndodhte, Mourinho do të ngopej dhe do të largohej. Ose mund ta bëjnë edhe drejtuesit, duke e larguar, për ta zëvendësuar me tjetër trajner”, deklaroi Ince.