Motori dhe telefoni “Samsung” i blerë në shesh, prova që rëndojnë mbi të arrestuarit e VV-së

Prokuroria pretendon se motori i përdorur për sulmin në Kuvend është blerë nga 3 prej 6 të arrestuarve.

Lajme

31/08/2016 13:41

Provat rreth shitjes së motoçikletës dhe një telefoni Samsung  besohet se janë provat kyçe të cilat prokuroria e shtetit do i përdor ndaj gjashtë aktivistëve të arrestuar dje për sulmin në Kuvend.

Prokuroria e shtetit ka kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për gjashtë të arrestuarit e djeshëm për sulmin me raketahedhës në Kuvendin e Kosovës që ndodhi më 4 gusht.

Në mesin e provave të cilat prokuroria beson se janë dëshmi se grupi organizoi sulmin është shitblerja e telefonit i cili besohet se u përdor për të lëshuar komunikatën  me të cilën një ditë më vonë ishte marrë përgjegjësia për sulmin.

KALLXO.com ka siguruar të dhëna nga kërkesa e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit.

Në kërkesën e tij prokurori pretendon se ka prova se të pandehurit janë përgjegjës për sulmin, mirëpo nuk specifikon veprimet e ndërmarra nga grupi.

Në kërkesë si prova paraqiten vëzhgimet të cilat policia i ka kryer gjatë lëshimit të komunikatës e cila merrte përgjegjësinë për sulmin.

Komunikata  besohet të jetë lëshuar duke përdorur një telefon “Samsung” i cili ishte blerë në Sheshin “Skënderbeu” prej njërës nga anëtaret e grupit, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje.

Prokuroria pretendon se dëshmitarët e kanë identifikuar blerësen e telefonit duke intervistuar disa dëshmitarë të rasti, e po ashtu duke përdorur kamera të sigurisë të asaj zone.

Po ashtu kërkesa sqaron se prokuroria ka të dhëna se tre nga të arrestuarit kishin blerë  motoçikletën e cila më pas ishte përdorur për kryerjen e sulmit, mirëpo pa e specifikuar nëse tre të pandehurit e kishin vozitur motoçikletën atë natë.

Në kërkesën e prokurorisë e cila i është dorëzuar gjykatës nuk përshkruhen veprimet e secilit prej të arrestuarve veç e veç duke lënë pikëpyetje rreth rolit të cilin e ka luajtur zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Frashër Krasniqi emri i të cilit nuk përmendet në asnjë moment në arsyetimin e prokurorit për masën e sigurisë.

Aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes