Moti i keq përfshin Ballkanin, probleme në komunikacion në më shumë vende

Dimri ka ardhur seriozisht në Ballkan me të gjitha karakteristikat e tij. Rrjeti europian i serviseve meteorologjike publikoi dje meteo-alarm “të kuq” për gjithë territorin e Malit të Zi për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme që priten të përfshijnë vendin.

Bota

14/11/2017 16:41

Bosnja është në nivelin e verdhë të meteoalarmit për shkak të reshjeve të borës. Në Sarajevë temperatura gjatë natës ka zbritur nën zero. Bora e parë e fuqishme, që  përfshiu pjesën më të madhe të Sllovenisë, krijoi probleme në komunikacion, posaçërisht në autostradën nga Lubjana drejt Koperit.

Për shkak të stuhisë së fuqishme dhe dëborës në orët e hershme të mëngjesit është regjistruar defekt në rrjetin elektrik në rajonin e bregut slloven, ku pa energji kanë mbetur disa mijëra konsumatorë.

Edhe në Kroaci bora shkaktoi probleme në komunikacionin rrugor dhe detar dhe janë mbyllur disa nga linjat kryesore të trageteve për shkak të erës së fortë.