Moti është dashur dorëheqja e Qeverisë

Shpend Ahmeti thotë se Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje dhe se që nga viti 2011 është duke kërkuar largimin e Qeverisë aktuale. Sipas tij, ky largim do t’i ndalte të këqijat që po u vijnë qytetarëve të Kosovës.

Lajme

21/09/2013 14:09

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Qeveria e Kosovës është vonuar për të dhënë dorëheqje.

Nënkryetari i këtij subjekti politik, Shpend Ahmeti, thotë se Vetëvendosje që nga viti 2011 është duke kërkuar vazhdimisht largimin e Qeverisë aktuale. Ky largim, sipas Ahmetit, do t’i ndalte të këqijat që po u vijnë qytetarëve të Kosovës.

Këto komente, ai i ka bërë në një konferencë për media, të mbajtur sot në Prishtinë.

Largimi i Qeverisë së Kosovës, përmes një mocioni votëbesimi në Kuvend, është ngritur si mundësi pas dështimit që koalicioni qeveritar ta sigurojë kuorumin e nevojshëm për ta votuar privatizimin e PTK’së në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, deri më tani, nuk ka një iniciativë konkrete nga partitë opozitare për votëbesim.

“Vetëvendosje e ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë që nga viti 2011. Ne që atëherë kemi thënë se çdo ditë që kjo Qeveri qëndron në pushtet, është një ditë më keq për qytetarët e Kosovës”.

“Në qoftë se kemi kërkuar atëherë, vazhdimisht çdo tre muaj e kemi përsëritur atë kërkesë, atëherë ne mendojmë se kjo dorëheqje veçse është e vonuar”.

“Do të ishte mirë që kjo Qeveri të dorëhiqet sa më shpejtë që është e mundur dhe t’ia ndalë dëmin që po ua shkakton qytetarëve të Kosovës”.

“Ne si Vetëvendosje gjithmonë jemi gati dhe gjithmonë duhet të jemi gati si subjekt politik për zgjedhje”.