Mosrishikimi i buxhetit me pasoja brenda institucioneve

Qeveria e Kosovës mund të ballafaqohet me kriza të të hyrave buxhetore deri në fund të vitit, krejt kjo si pasojë e joseriozitetit të institucioneve dhe zhvillimeve politike të kohëve të fundit.

Lajme

09/09/2017 09:29

Në fillim të vitit, kur u miratua buxheti i Kosovës në Parlament, Qeveria kishte paraparë një shumë prej 87 milionë eurosh të hyra nga AKP-ja prej privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat i kishte paraparë për investime kapitale.

Ligji në fuqi dhe procedurat e parapara me ligjin në fuqi të AKP-së nuk e mundësonin këtë bartje të mjeteve nga AKP-ja në buxhet të shtetit, por Qeveria kishte planifikuar ndryshimin e ligjit të AKP-së me qëllim që t’i hapet rrugë shfrytëzimit të këtyre mjeteve edhe para se të kryhet procesi i likuidimit i ndërmarrjeve shoqërore.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” ministri në largim i Financave, Agim Krasniqi, thotë se mosrealizimi i këtij plani do të ketë pasoja në buxhetin e shtetit.

“Kur flasim për bllokadë institucionale unë besoj që nuk kemi bllokadë institucionale për arsye se Qeveria dhe resurset qeveritare janë duke funksionuar. Por Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar. Bllokada e bërë nga Kuvendi është duke reflektuar dhe reflektohet në disa procese, por edhe nga mungesa e Qeverisë me kapacitet të plotë patjetër që po ka pasoja. Njëra nga pasojat e këtyre zhvillimeve është edhe fakti se ne kemi planifikuar diku rreth 87 milionë euro të hyra nga AKP-ja. Por, paraprakisht nevojitet ndryshim i Ligjit të AKP-së, gjë e cila nuk është bërë. Kjo e hyrë në buxhet nuk do të realizohet dhe do të ketë ndikim patjetër në buxhetin e këtij viti…”, tha Krasniqi.