Mospajtimet në Asamblenë e Prishtinës

Partia Demokratike e Kosovës nuk dha emër në Komitetin për Politikë dhe Financa. Kërkuan një formulë se si është përcaktuar që kjo parti të ketë vetëm 1 përfaqësues. S’e morën. Komiteti u themelua pa përfaqësues nga PDK.

Lajme

22/01/2014 18:25

Dita e parë e mbledhjeve në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka qenë mjaft e ngarkuar, me shumë pauza e konsultime mes zyrtarësh.

Pika e tretë e rendit të ditës, që kishte të bënte me themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, nuk mundi të përfundojë lehtë e pa debate mes asambleistësh.

PDK’ja nuk po pajtohej me formulën që janë zgjedhur numrat e partive për përfaqësues në këtë Komitet. Këshilltarët e PDK’së në Asamble, Lirak Çelaj dhe Memli Krasniqi thanë se nuk do të japin emër nëse s’jepet një formulë më ndryshe.

Krasniqi propozon një ndarje sipas dëshirës së LDK’së.

“Doni të thoni se s’ka formulë tjetër. Ka shumë formula. Formula e Sainte-Lague është një, formula e D’Hondt është tjetër. Unë po propozoj të ndajmë vendet sipas formulës D’Hond edhe kjo i konvenon LDK’së se i bëjnë 4 anëtarë. Është formulë e njëjtë elektorale, asnjë problem s’është ta shfrytëzojmë”.

“Është vendim, është pajtim. A po pajtohemi për këtë ose atë? S’ka bazë ligjore. Kur s’ka bazë ligjore Kuvendi e merr vendimin dhe ky Kuvend e ka obligim të votojë për një prej tre propozimeve që janë dhënë”, ka thënë Krasniqi.

Vetë kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, këmbënguli për votë nga PDK’ja. Edhe pse kjo nuk ndodhi, Komisioni për Politikë e Financa duhet të mbyllet, kërkoi ai, pastaj të vazhdohet me një tjetër proces.

“Nuk mund tash ta kthejmë procesin mbrapa, të nisim një proces tjetër pa e mbyllur këtë proces. Prandaj, shqyrtojeni ligjërisht, jo pse puna e Kuvendit është kështu”.

“Ligjërisht kemi hyrë në një proces të rendit të ditës. Jeni duke e shtyrë përpara, po e kuptoj plotësisht sepse unë e ngrita këtë çështje edhe vetë”.

“Duhet të votohet sepse keni nisur këtë proces, mos të kemi problem ligjore ta ndërprejmë e me nisë një tjetër proces pa pasur shpjegim pse u ndërpre ajo”.

Sami Hamiti, këshilltar Komunal i LDK’së beson në vërtetësinë e formulës për zgjedhjen e numrit të përfaqësuesve në komisionin në fjalë. Por, ndryshe, thotë ai, PDK’ja mund të bëjë kërkesë për aprovimin e kësaj formule.

“Në parim është mirë të ruhet një normë, një rregull që ekziston.  Me atë normë kemi punuar deri më tash dhe punojnë shumica e Komunave”.

“Ajo formulë është e vërtetë. Nëse ka rezistencë le ta bëjnë kërkesën PDK’ja dhe pa u aprovuar nga Ministria që është e ligjshme, nuk do të kalojë”.

Në anën tjetër edhe Këshilltari i Lëvizjes për Bashkim, Brahim Mehmetaj, thotë se sikur grupet parlamentare të ishin njoftuar me një formulë, s’do të kishte diskutime. Por, s’ka.

“Nuk po e shohim ku është ajo formulë. Sikur të ishte formula ne s’do të kishim diskutuar fare, në mungesë të formulës ne po insistojmë që me parimin e gjithëpërfshirjes për ta zgjidhur këtë problem”.

Propozimi u miratua vetëm atëherë kur kryesuesi anashkaloi mosparaqitjen e grupit parlamentar të PDK’së me një përfaqësues. U miratua me 33 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime.