(Mos)njohja e Kosovës, sipas Nikolicit

Tomislav Nikolic flet pse Serbia nuk e njeh por edhe si mund ta njohë Kosovën. Ai thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht i Serbisë për anëtarësim në BE dhe për këtë sjell shembuj të çuditshëm.

Lajme

06/10/2013 22:14

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka thënë se fillimi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian nuk është i kushtëzuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nëse dikush mundet (tashmë) të jetë anetar i BE’së dhe që akoma nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë edhe një shtet tjetër mund të bëhet anëtar edhe pse nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Nikolic, në një intervistë për të përditshmen kroate Jutarnji List.

“Njohja e Kosovës nuk është kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Bashkimi Europian ka pesë shtete anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato nuk janë përjashtuar nga BE”.

“BE ka një qëndrim neutral ndaj statusit dhe si e tillë po lehtëson në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës”.

“BE natyrisht është duke marrë vendime nën presionin e anëtarëve më ndikues të unionit që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Serbia ka qenë e suksesshme në shprehjen e pikëpamjes së tij se pavarësia e vetëshpallur e Kosovës dhe Metohisë nuk mund të njihet, por Serbia mund të marrë pjesë në bisedime me institucionet e Prishtinës me synimin e normalizimit të jetës së qytetarëve në Kosovë e Metohi dhe krijimin e institucioneve demokratike atje”.

“Unë nuk do ta mbështes një vendim që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës duke u pajtuar që mos ta shoh Kosovën e Metohinë më si pjesë të Republikës së Serbisë”.

“Nëse populli do ta ndryshonte Kushtetutën dhe do ta mirrte vendimin, atëherë unë do të pajtohesha me atë që vendos populli, ose si dikush që nuk pajtohet, do të rrija mënjanë dhe t’u lëshoj rrugën atyre që janë në gjendje ta drejtojnë Serbinë në kushte të tilla”, ka thënë Nikolic, në intervistë për të përditshmen kroate Jutarnji List.