Mosmarrëveshja me Shqipërinë – barrierë ndaj prodhimeve kosovare

Një telash tjetër që i ka dalë Kosovës është edhe mosmarrëveshja me Shqipërinë, dhe shkak është bërë çmimi i referencës për pataten. Kosova nuk po pajtohet me vendimin e autoriteteve shqiptare me vendosjen e këtij çmimi i cili është nga 18 deri 19 centë për një kilogram. Kultivuesit dhe përpunuesit e kësaj kulture janë të shqetësuar, kurse ministritë përkatëse të Kosovës, deklarojnë se po bëjnë gjithçka që ky problem të zgjidhet.

Lajme

10/07/2017 20:50

Shqipëria vazhdon vendosjen e  barrierave ndaj prodhimeve të Kosovës. Ndaj patates  kosovare, sërish qeveria shqiptare i ka vendosur çmim referent 18 dhe 19 cent për çdo kilogram që eksportohet. Bedri Kosumi, kultivues dhe përpunues i patates, thotë se është habitur nga ky vendim, që i dëmton në masë të madhe prodhuesit kosovarë.

Kosumi i cili bashkë me fermerë tjerë kultivon patate në mbi 500 hektarë. Ai u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa ndaj kësaj barriere, e cila po ndodh sërish, pavarësisht disa marrëveshjeve qeveritare ndërmjet dy vendeve.

Lidhur me këtë vendim të autoriteteve shqiptare, reaguan ministrat në detyrë, ai i Financave, Avdullah Hoti dhe Tregtisë, Hykmete Bajrami. Kjo e fundit deklaroi se qeveria e Shqipërisë duhet ta heqë çmimin referent për pataten e Kosovës.

Në të kundërtën, Bajrami tha se do të ndërmerren masa reciproke ndaj Shqipërisë, ndonëse sqaroi se është duke u punuar në zgjidhjen e kësaj situate.

Ndërkohë, ministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se  ky çmim referent është i lartë dhe i dëmton prodhuesit e Kosovës dhe nëse nuk ka lëvizje nga Shqipëria, do të shqyrtohen masat e tjera ligjore.

YouTube player