Moska mirëpret vendimin e GJND-së

Ministria e Jashtme e Rusisë ka lavdëruar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në Hagë, për të refuzuar kërkesën e Kievit, që Moska të urdhërohet të ndalojë mbështetjen për separatistët në lindje të Ukrainës.

Bota

20/04/2017 18:06

Në kërkesën e saj në GJND, Ukraina tha se Rusia ka ndërhyrë në çështjet e Ukrainës që prej vitit 2014 “duke intervenuar ushtarakisht… financimin e akteve të terrorizmit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të miliona ukrainasve, përfshirë edhe të drejtën për jetë”.

Por gjykata më 19 prill, në vendimin e saj, tha se “kushtet e kërkuara për masat e përkohshme”, siç ishin kërkuar nga Ukraina, për të udhëruar që Rusia të ndalojë mbështetjen për separatistët, “nuk janë përmbushur”.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse, thuhet se GJND “gjithashtu u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë çështje, që të zbatojnë në plotni Marrëveshjet e Minsut, duke kujtuar se këto marrëveshje janë miratuar dhe nënshkruar nga përfaqësuesit e rajoneve të Doneskut dhe Luhanskut, një fakt që Ukrania po përpiqet ta mohojë”.

Moska aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014 dhe ka mbështetur separatistët, në luftën, që ka lënë mbi 9,900 të vrarë në lindje të Ukrainës, që prej prillit të atij viti.