Moska kritikon deklaratat e Ramës e Thaçit: Po tentohet Shqipëria e Madhe

Deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe presidentit kosovar, Hashim Thaçi, në sinkron me njëra tjetrën për atë se nëse rruga e bashkimit të shqiptarëve përmes anëtarësimit në Bashkimin Europian dështon, atëherë shqiptarët duhet të shikojnë vet ta krijojnë një union bashkimi, kanë qenë shqetësuese për Moskën zyrtare.

Lajme

22/04/2017 10:52

Ministria e Punëve të Jashtme të shtetit rus është ankuar rreth këtyre deklaratave dhe ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ndërmarr masa “për t’u treguar politikanëve shqiptarë, brenda e jashtë Shqipërisë, që është e papranueshme të shtyhet përpara ideja e rishikimit të kufijve në Ballkan”, shkruan agjencia ruse e lajmeve Sputnik, duke iu referuar komunikatës së MPJ-së ruse, lëshuar të premten, njofton Klan Kosova.

Deklarata shton se përkundër sfondit të bisedimeve rreth stabilitetit rajonal nën mbrojtjen e NATO-s, situata në rajon është duke u përkeqësuar “nga hapat që synojnë zbatimin e të ashtuquajturit projekti i Shqipërisë së Madhe”.

Reagimi u bë pas një interviste të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin Politico, në të cilën tha se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon atëherë unionet e vogla mund të ndodhin”.

Pas kësaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.