Mos u përçani për Bustin e Nënë Terezës

Don Lush Gjergji kërkon që rrëzimi i Bustit të Nënës Terezë në Mitrovicë të mos shfrytëzohet për interesa dhe për të krijuar përçarje. Ai fton që të pritet drejtësia.

Lajme

19/01/2014 19:19

Don Lush Gjergji ka reaguar pas rrëzimit të Bustit të Nënë Terezës, gjatë natës së mbrëmshme në Mitrovicë, duke ftuar që ky rast të mos shfrytëzohet për interesa të askujt, por të priten konstatimet e policisë.

Rrëzimi i bustit të humanistes së njohur, i vendosur kohë më parë në qendër të qytetit të Mitrovicës, është rrëzuar mbrëmë pas mesnatës, ndërsa ende janë të paqarta rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Dr. Don Lush Gjergji, duke folur për agjencinë e lajmeve Presheva Jonë, ka shprehur keqardhjen për këtë rast.

“Me keqardhje kemi marrë lajmin për rënien e bustit të madhështores sonë Nënë Tereza në Mitrovicë. Por, dhashtë Zoti që të mos jetë nga dora e njeriut.

“Ne po presim konstatimet e policisë dhe ekspertëve”.

“Unë do të kisha apeluar që rënia e bustit të Nënë Terezë të mos spekulohet apo të shfrytëzohet nga ndokush për iks interesa, sidomos për përçarje, sepse ne jemi vëllezër dhe Nëna Tereza ishte e të gjithëve neve. Vepra, shëmbëlltyra dhe misioni i saj ishte i qartë dhe universal.

“Kosova dhe gjithë shqiptarët atë e kemi në zemrat dhe mendjet tona.”

Busti i Nënës Terezë është kthyer në vend nga Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e rrëzimit të tij dhe ka nisur hetimet. Por, deri më tash, nuk janë zbuluar motivet e rrëzimit të bustit, nëse ai është rrëzuar nga dora e njeriut apo nga ndonjë erë fortë.