Mos pini kafe sapo të zgjoheni, do të ndiheni të lodhur

Shumë njerëz nuk mund të fillojnë aktivitetet e ditës pa e pirë një kafe sapo të zgjohen.

Lifestyle

15/10/2017 10:30

Por sipas trajnerit personal Max Lowery, nëse gjëja e parë që e konsumoni në mëngjes është kafja, atëherë ju vetëm do të ndiheni më të lodhur, transmeton Telegrafi.

27 vjeçari ka treguar se kafeina duhet të përdoret si përforcues i performancës, e jo si diçka që ju mundëson të funksiononi në nivel normal.

Në vend të kësaj, eksperti i fitnesit rekomandon ta konsumoni kafen mes orës 9:30 dhe 11:30 të mëngjesit, në mënyrë që të ndiheni më të freskët para një takimi apo më të fuqishëm para stërvitjeve fizike.

Sipas Lowery, nivelet tona të kortizolit arrijnë majat mes orës 8 dhe 9 të mëngjesit, prandaj është mirë që gjatë kësaj kohe të shmangni konsumimin e kafes.

Pasi të zgjoheni në mëngjes, ai rekomandon ta filloni ditën me një çaj të gjelbër.

Max ka shpjeguar se nëse kafja bëhet pjesë e pandashme e rutinës tuaj të mëngjesit, atëherë ju do të filloni të zhvilloni tolerancë ndaj kësaj pije, dhe pas një kohe duhet të pini më shumë kafe për ta arritur të njëjtin efekt që e ka pasur në fillim.

Por, përveç se duhet të shmangni konsumimin e kafeinës në mëngjes, kafja duhet të shmanget edhe gjatë orëve të vona të ditës sepse kafeina ka një jetëgjatësi prej gjashtë orëve. Prandaj, nëse zgjidhni ta pini një kapuçino në orën 16:00, ju ende do t’i keni në sistemin tuaj 50mg kafeinë në ora 22:00. /Lajmi.net/