Mos i mbani peng institucionet, mos ia ruani Kuçit pozitën e Kryeprokurorit!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit po zvarritet më qëllim që t’i ruhet vendi personave të caktuar.

Lajme

26/03/2015 11:17

Në seancën e sotme parlamentare, gjatë pikës – deklarime jashtë rendit të ditës, Haradinaj ka thënë se të gjithë tashmë e kanë kuptuar lojën që po luhet për këtë postë të rëndësishëm për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Lideri i AAK-së, Haradinaj, ka thënë se përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces është bërë për t’iu ruajtur vendi ndonjë ministri, i cili tërthorazi ka përmendur emrin e ministrit të  Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Ka një zvarritje të jashtëzakonshme, dhe e dimë se Gjykata Kushtetuese po kyçet se ka interes të pëzullojë procesin për një kohë, t’ia ruajë vendin ndonjë ministri, ose të bëhet rokada kur t’i vije koha të shkojë edhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese (Enver Hasani). E kemi kuptuar këtë lojë”, ka thënë Haradinaj.

“Sot nuk qenka këtu ministri i Drejtësisë!? S’ka lidhje! Askush nuk do të mbes pa punë, as ai, edhe nëse nuk është ministër. Por nuk është mirë që institucionet e shtetit të mbahen peng, me pritë sistemimin e një individi, ashtu siç po ndodh tash”.

Haradinaj ka folur edhe për grevën e punëtorëve të prokurorive dhe gjykatave, duke e vlerësuar si një çështje të cilën nuk duhet neglizhuar. Ai ka thënë se nuk mund të pritet drejtësi e mirë nëse nuk krijohen kushte për gjyqtarët dhe prokurorët.

YouTube player