Mos e shani Spanjën

Sergio Ramos thotë se është çmenduri të mendohet se epoka e dominimit të Spanjës ka përfunduar pas humbjes së thellë nga Holanda në ndeshjen e parë të Kampionatit botëror në Brazil. Ai thekson se ekipi do të kundërpërgjigjet.

Sport

14/06/2014 19:23

Sergio Ramos thotë se sugjerimet për përfundimin e epokës së dominimit të Spanjës janë “çmenduri”, pas humbjes 5:1 nga Holanda.

Kampioni në fuqi i botës dhe Evropës kapitulloi edhe pse kaloi i pari në epërsi në duelin e Grupit B në Botërorin 2014, derisa Arjen Robben dhe Robin van Persie shënuan nga dy herë për të udhëhequr Holandën drejt fitores.

Menjëherë pas ndeshjes filluan kritikat dhe sugjerimet se ciklit pozitiv të Spanjës i ka ardhur fundi.

Por, Ramos është kundërpërgjigjur duke thënë se skuadra tani synon që të reagojë në mënyrë të fuqishme.

“Ne jemi më të bashkuar se kurrë. Të thuhet se cikli ka përfunduar është e çmendur”, deklaroi 28-vjeçari.

“Në futboll ju përqendroheni dhe shikoni se çka ju pret përpara. Ne jemi ende përplot krenari, pasion dhe entuziazëm. Ne do të luanim sot me Kilin, nëse do të mundemi. Çelësi i këtij ekipi ka qenë aftësia për t’u rikthyer. Ne ende jemi ekip i mrekullueshëm”, u shpreh ai.