Morri dhe shqiptarët!

Morri është morr! Sado që të pijë gjak, i vogël mbetet. Por ama të shqetëson. Është patjetër ta largosh nga koka, ndryshe nuk do të rehatohesh kurrë prej tij.

Opinion

11/05/2015 17:46

Ashtu si morri, ashtu është edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Herë ushqehet nën lëkurën e Ali Ahmetit dhe herë nën atë të Menduh Thaçit.  Edhe pse të gjithë e njohin si morr, ai vazhdon të mbijetojë në pisllëkun e tyre.

Morri e di që nuk ka asnjë lidhje me maqedonasit e para 3000 vjetëve, por kjo është logjika e tij e shekullit XXI. Është morr, i cili jeton nga kokat e shqiptarëve, të cilët në truallin e tyre autokton, në Maqedoni, prej vitesh sillen në një rreth vicioz.

Marrëveshja e Ohrit, që i dha fund luftës dhe sipas së cilës shqiptarët janë popull shtetëformues, nuk zbatohet. Ka ngecur si pasojë e akrobacioneve të morrit, që i duket vetvetja Aleksandër, e i cili vije nga një pakicë bullgare që u njoh si komb nga ish lideri komunist jugosllav, Tito.

Duke qenë lakmitarë të kolltukëve (pa ndonjë pushtet), herë Ahmeti dhe herë Thaçi, toleruan morrin deri në atë pikë sa që më nuk e njohin njëri-tjetrin si shqiptar. Egoja e morrit për ta bërë Maqedoninë shtet të maqedonasve u tregua shumë më e fortë se sa ideali i liderëve shqiptarë të etur për pushtet, pa shtet.

Sot, shqiptarët në Maqedoni janë të humbur në pisllëkun që e ushqen Gruevskin. Maqedonia, atyre sot u përngjan në Ukrainë, nesër mund t’iu ngjajë në ndonjë “Shtet Islamik”, pasnesër mund të mos ekzistojë, sepse kjo është fuqia e morrit.

Kjo politikë, servilizmi i Ahmetit dhe Thaçit ndaj morrit Nikolla Gruevski, i ka lënë shqiptarët mbrapa në aspektin e organizimit shoqëror, politik dhe demokratik. Kjo, jo se shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë kanë shënuar ndonjë progres të jashtëzakonshëm, por për faktin se në Maqedoni, shqiptarët kanë pësuar regres të jashtëzakonshëm.

Të shpërfillur nga udhëheqësit e vetë dhe të shtypur nga regjimi maqedonas, shqiptarët në Maqedoni janë përçarë “pikë e pesë”, e disa edhe janë tjetërsuar. Kanë ardhur deri në atë pikë, të mjerueshme, sa që të gjitha palët e interesit përpiqen t’i përdorin si karrem. Liderët e tyre, policia e tyre, ushtria e tyre, shtetërore e “kombëtare”, qeveria e tyre, që vetëm të tyre nuk janë.

Shumica e shqiptarëve në Maqedoni prej vitesh jetojnë në agoni, duke pritur që dalëngadalë do të ndodhë edhe ndryshimi. Nga kjo kategori, ka prej atyre që ende besojnë te ndihma që mund t’iu shkojë edhe nga Brukseli, Prishtina e Tirana. Krejtësisht normale, sikur boshti (lidershqipi) shqiptar në Maqedoni dhe trekëndëshi që lidhet me interesat e tyre (trekëndëshi Bruksel, Tiranë, Prishtinë), të ishin funksionalë.

Pjesa që ishte më e padurueshme, që e ka kapluar varfëria dhe i është vrarë shpresa ka çuar dorë nga Maqedonia. Një pjesë ka ikur përgjithmonë prej aty në vendet perëndimore, ndërsa pjesa tjetër është radikalizuar aq shuam sa që nuk u bëhet vonë për identitet kombëtar. Madje, për këtë kategorinë e fundit është më e rëndësishme të protestohet në Shkup kur dikush e kritikon Rexhep Erdoganin ose akuzon Turqinë për gjenocid ndaj armenëve sesa të ngrejë zërin për Kumanovën.

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për një lidership tjetër dhe për një trajtim tjetër nga shteti i tyre. Ata nuk kanë nevojë për udhëheqës si Ahmeti dhe Thaçi as për “perandorinë” e Gruevskit. Ata nuk kanë nevojë as për luftëtarë që i fusin në mes të zjarrit, pavarësisht qëllimeve të tyre, biznesore apo kombëtare.

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmë nga trekëndëshi Bruksel – Tiranë -Prishtinë, dhe jo për heshtje të atillë ç’fare i kaploi këto qendra përballë zhvillimeve në Kumanovë. Ata kanë nevojë për Wahingtonin që t’u ndihmojë të mundin trekëndëshit e katërkëndëshit lindorë që e duan këtë Maqedoni, jashtë NATO-s dhe jashtë BE-së.

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë të luftojnë për të drejtat e tyre si popull shetëformues dhe për këtë duhet t’iu ofrohet ndihmë. Kanë nevojë për riorganizim politik, për përqafim, kultivim dhe ruajtje të vlerave kombëtare, demokratike dhe perëndimore, që të mund të arrijnë të shtypin morrin.