Morali i deputetëve kosovarë

Përtej diskutimeve të shumta, shpërthimi në sipërfaqe i klaneve dikur të fshehta, simbioza në mes krimit të organizuar dhe korrupsionit me politikën kanë ngritur mjaftë pikëpyetje mbi sistemin politik që Kosova ka  ndërtuar që nga periudha e pasluftës.

Opinion

30/08/2016 15:02

Shkruan: Xheladin Ferati, LL.M.

Disa nga analistët politik nëKosovë argumentojnë se figurat aktuale të politikës kosovare  kanë mundur të kyçen në politikë, falë tranformimit të partive  nga formacione ideologjike në grupacione interesash politike, ekonomike  dhe familjare.

Ngjarjet e fundit të publikuara në mediet vendore dhe ato ndërkombëtare tregojnë se rritja e forcës individuale të disa deputetëve kosovar është në rritje e sipër, madje mund të konsiderohet si një rritje ekstreme e ndikimit në të gjitha sferat institucionale dhe shoqërore.
Cilësia e nomenklaturës së Kuvendit të Kosovës, që llogaritet të jetë e pesta pas luftës, u bë objekt debatesh publike dhe politike, por është dashur kohë që deputetët me sfond jo të pastër njerëzor dhe politik të përmendeshin me emër.

Gjithsesi, goditja më e fortë për lidhjet e krimit dhe praninë e korrupsionit në sferën politike kanë ardhur nga vetë deputetët e përfolur. Disa episode dhune nga gazi lotsjellës dhe përplasjet në mes deputetëve në kuvend bën që gjendja politike në Kosovë të humbas stabilitetin tash e një kohë të gjatë. Procesi i dekriminalizimit të politikës përballet me mungesën e vullnetit dhe skepticizmin e gjerë të publikut. Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësuesit e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, apo më mirë të themi janë zëri i qytetarëve.

Përfaqësuesit e popullit – deputetët,  zgjedhen në bazë të rezultatit të arritur në Zgjedhjet e Përgjithshme të organizuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, zgjedhja e të cilëve bëhet me votim të fshehtë bazuar në lista të hapura, e cila është e rregulluar sipas nenit 64 të Kushtetutës së Republikes së Kosovës. Pra, është elektorati ai i cili i jep besimin një kandidati apo kandidateje, të cilët duke pranuar këtë votë-besim, betohen se do të punojnë në adresimin e interesave të përgjithshme të të gjthë qytetarëve të vendit. Kandidatët të cilët synojnë karrigën e deputetit,  duhet që qytetarëve  të u ofrojnë program bindës të qeverisjes gjatë mandatit katër vjeçar të tyre. Në zgjedhjet elektorale kandidatët për deputet bëjnë premtime nga më të ndryshmet, me theks të veçantë ata premtojnë që i gjithë potenciali i tyre gjatë mandatit të të qenit deputet do të fokusohet në mbrojtjen e interesave të qytetarëve, përfaqësimin sa më të denjë të tyre, në zgjidhjen e barrierave aktuale me të cilat ballafaqohet shoqëria dhe elektorati në përgjithësi.

Për më tepër,  deputetët duhet të tregojnë integritet të lartë moral njerëzorë e shoqëror. Përkundër kësaj, kohëve të fundit janë publikuar skandale të ndryshme të ashtuquajturat “Afera Pronto”, të cilat pasqyrojnë përfshirjen e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës  në afera korruptive, punësime në baza partiake dhe familjare. Ndër tjerash, telefonatat e publikuara në mes figurave të politikes kosovare kanë vënë në pahë, se përfaqësuesit e popullit janë përdorues të  gjuhës së urrejtjesë, gjuhës fyese dhe denigruese, përkundër asaj që ata janë të thirrur të jenë shembulli më i mirë për të gjithë qytetarët. Duke qenë se deputetët kanë pranuar mandatin dhe votë-besimin e qytetarëve, ata do të duhej të ishin më të kujdesshëm dhe të dëshmojnë se duke e pranuar atë mandat, ata do të punojnë për popullin dhe jo për interesat personale e që në shoqërinë kosovare mund të quhen edhe si interesa familjare e klanore.

Në shoqëritë demokratike të vendeve të ndryshme, në raste të tilla deputetët japin dorëheqje nga mandati i tyre dhe kërkojnë falje për shkeljet e bëra. Një gjë e tillë fatkeqësisht në shoqërinë tonë kosovare nuk është duke ndodhur. Sistemi gjyqësor është ai i cili duhet të merret me këto raste konkrete dhe kryersit e këtyre veprave penale duhet të marrin denimin e merituar.

Megjithatë, përpjekjet e shumta nga aleatët ndërkombëtar  nuk japin garanci për shkëputjen e plotë të fijeve të errëta mes botës së krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe botës së politikes kosovare.

Xheladin Ferati është jurist, magjister në Universitetin “Johann Wolfgang Goethe” në Frankfurt am Main të Gjermanisë. Ndërkaq, studimet themelore Bachelor i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina”në Prishtinë. Ai është njohës i mirë i çështjeve të së drejtës publike, publike ndërkombëtare dhe penale e penale ndërkombëtare. Njëkohësishtë ka qenë përfitues i katër bursave ndërkombëtare, ku dy prej tyre janë bursa nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Drejtësi (IRZ), bursa nga Fondacioni i Avokatisë së Odës së Avokatëve të Landit Hessen në Gjermani, dhe Bursa Ndërkombëtare Parlamentare nga Bundestag-u Gjerman (IPS). Disa vite ai ka shërbyer si zyrtar i zyrës ndërlidhëse të Shërbimit Gjerman të Shkëmbimit Akademik (DAAD), dhe është angazhuar në projekte të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë.