Monologu në raportet Kosovë – Serbi – Lajmi.net
Monologu në raportet Kosovë – Serbi
Autori: Lajmi.net LajmeOpinion 9:24, 23 August 2017
Për herë të parë në historinë e raporteve Kosovë – Serbi, po ndodhë që ne po tregohemi gati të painteresuar për ta zgjidhur raportin me Serbinë, ndërsa e kundërta po shënohet në Beograd.
Nga: Blerim Shala
 
Kjo përfundimisht po ndodhë për herë të parë në historinë mbi njëqind vjeçare të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë të ditura mirë për çdo qytetar të Kosovës.
Në politikën zyrtare të Serbisë dhe në opinionin serb, më së shumti në vijim të nismës së Presidentit Aleksandar Vuçiq, me javë të tëra po debatohet për domosdoshmërinë e mbylljes (një herë e përgjithmonë, si po thuhet), të çështjes së Kosovës. Qasja mbizotëruese tek shumica dërrmuese e politikanëve serbe është ajo që synon të pranojë realitetin politik në Kosovë. Megjithatë, ky ‘pranim i realitetit’ nuk nënkupton që udhëheqësia e tashme e Serbisë e ka ndërmend ta pranojë realitetin e shtetit të Kosovës, dhe të sovranitetit të tij në gjithë territorin e Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë, së paku jo në këtë fazën e ardhshme të bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Vuçiq, në hulumtimet e opinionit ka marrë përkrahjen e 69% të respondentëve për nismën e tij, që t’i ipet fund temës e cila ndryshe, në shkallën e problemeve kryesore të Serbisë, sipas këtyre hulumtimeve, zë vendin e 11-të me 2% interes të qytetarëve të saj. Vuçiq ka paralajmëruar që kah fundi i vitit do të del me Platformën e tij se si e sheh ai zgjidhjen finale të raporteve Serbi – Kosovë. Në anën tjetër, Zëvëndës-Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq tash e dy javë thuaja çdo ditë po prononcohet në favor të ndarjes territoriale midis shqiptarëve dhe serbëve, si variant më i mirë i mundshëm për Beogradin.
Sidoqoftë, nëse krahasohet kjo atmosferë e trajtimit të Kosovës në politikën zyrtare të Serbisë, me atë të janarit të këtij viti kur prej instancave më të larta të Beogradit, kur gjatë krizës me trenin lara-lara dhe me murin njëngjyrësh, kishte edhe kërcënime për luftë, nuk ka dyshim që ka shenja pozitive nga Serbia. Sa do të jenë ato të qëndrueshme, do të varet shumë nga zhvillimet në Evropë, nga perspektiva e inkuadrimit të Serbisë në BE brenda një periudhe afatmesme, gjithsesi, nga vetë natyra e bisedimeve të Brukselit tash e tutje.
Por për dallim prej lidershipit të Serbisë që është në një ofenzivë totale politike dhe propagandistike rreth Kosovës, e cila po përkrahet në Perëndim, në Prishtinë aktualisht nuk ka udhëheqësi institucionale, nuk ka Qeveri, nuk ka as interesim të madh të skenës politike për t’iu kundërpërgjigjur Presidentit Vuçiq.
Për herë të parë pra, në këtë historinë e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, po ndodhë që ne të tregohemi thuaja të painteresuar për ta zgjidhur një herë e mirë raportin me Serbinë, ndërsa e kundërta po shënohet në Serbi. Rëndom, për decenie të tëra, ka qenë e anasjellta: Ne jemi shfaqur të gatshëm të bisedojmë dhe të neciojmë për ta mbyllur kapitullin e këtyre marrëdhënieve, zyrtarët e Serbisë nuk kanë dashtur.
Aktualisht, së paku nga pikëvështrimi i një diplomati perëndimor që nuk ka farë përvojë të madhe me Ballkanin dhe me ne, situata, përshkruar me pamjet e një ndeshje futbolli është si vijon: Ekipi i Serbisë po bëhet gati të hy në fushë dhe të nisë ndeshjen, ndërsa sa i përket Përfaqësuesues së Kosovës, ajo gjindet në situatë kur nuk dihet fare se kush do të jetë në përbërjen e saj, duke përjashtuar këtu vet Presidentin Hashim Thaçi, i cili është bashkëbiseduesi kryesor i homologut të tij serb Vuçiq.
Në futboll dhe në politikë, siç dihet, ndeshjet dhe përballjet mund të humben edhe për shkak të mugesës fizike në fushë ose në tavolinë. Ne jo vetëm që në rrethanat e tanishme, nuk po dhënë fare shenja që së shpejti mund t’i kthehemi bisedimeve, për rrumbullakësimin e të cilave jemi fort të interesuar, por këndejpari, as që po zhvillohet farë shqyrtimi a debati publik për fazën finale të dialogut të Brukselit (për këtë cilësim të tyre ka së paku dakordim evident në Prishtinë dhe në Beograd). Gjithçka, në këtë aspekt, si edhe në të gjitha temat e tjera të rëndësisë sipërore për vendin, mbetet peng i krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës, të Kuvendit dhe Qeverisë. Ndërsa dihet mirë që krijimi i tyre nuk krijon me një automatizëm rrethana të mirëfillta ndër ne për ta kryer punën e dialogut me Serbinë, apo të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve./Lajmi.net/

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Berry Rush
  • Play Zombie Big Trouble
  • Play World Soccer Champion
  • Play Bow Master