Molliqaj: Vetëm me PDK-në jo (Video)

Dardan Molliqaj Sekretar organizativ në Lëvizjen Vetëvendosje, thotë se janë të gatshëm për të qeverisur vendin. Ai në një intervistë për lajmi.net ka deklaruar se PDK duhet të shkojë në opozitë dhe Vetëvendosje të qeverisë.

Lajme

04/06/2014 19:13

Molliqaj tha se qytetarët e Kosovës, pa marr parasysh se cilës parti i takojnë, kanë kërkesa për ndryshim. Vlerësoi se ndryshimi është me Vetëvendosjen, ndërkaq, vota për partitë tjera i quajti si përsëritje të gjendjes.

Duke folur për koalicionet qeverisëse, Molliqaj tha se Vetëvendosje në pozitën e fituesit do hyjë në koalicion me ato parti që kanë afërsi të programeve, por ka përjashtuar PDK-në.

Lajmi.net: z. Molliqaj, fushata për zgjedhjet e 8 qershorit po i afrohet fundit, si e vlerësoni rrjedhën e deritashme?

Molliqaj: Mendoj se ka qenë një fushatë më intensive në kuptimin e sasisë së aktiviteteve edhe nga Vetëvendosja edhe nga subjektet tjera. Nuk është shoqëruar me tensione dhe akuza e kundër akuza të cilat shpeshherë kanë ditë me qenë të pa baza, të pa vërteta nga subjektet tjera . Mendoj që kemi ofruar atë që ne kemi dashtë të ofrojmë për alternativën tonë qeverisëse, listën tonë të kandidatëve dhe në këtë kuptim mendoj që ne si subjekt politik, kemi arritur qëllimin që për këto ditë, kemi mundur t’i prekim votuesit tonë, kemi mundur t’i paraqesim para votuesve tonë atë çka ne kemi dëshiruar ta bëjmë për Kosovën dhe çka ne kemi në plan të realizojmë kur ne e marrim pushtetin.

Lajmi.net : Pse qytetarët duhet ta votojnë “Alternativën” e Vetëvendosjes e jo partitë tjera në garë?

Molliqaj: Besoj që nëse takon njerëzit nëpër Kosovë, pa i identifikuar për cilin subjekt janë, kanë kërkesë për ndryshim në këtë vend. Mendoj që nëse votohet Vetëvendosja është ndryshimi, nëse votohen subjektet tjera është përsëritja . Përsëritja në dy momente, në kuptimin që kanë qenë në pushtet qoftë në pushtetin fundit, qoftë ne pushtetet e mëparshme  dhe përsëritje në kuptimin e njëjtë qeverisës. Pra dallimet qeverisëse mes subjekteve politike nuk janë të mëdha, ne jemi shumë të vetëdijshëm që problemi i këtij vendi është PDK, jemi shumë të vetëdijshëm që qeverisja e PDK-së është më e keqe se e tjerëve, por nuk po shohim ndonjë dallim shumë të madh mes qeverisjes së PDK-së, dhe LDK-së. Dallimin më të madh që po e shohim në qeverisje është mes dallimit të qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë dhe qeverisjet tjera. Të gjithë ata që nuk dëshirojnë përsëritje, por ndryshim, e ndryshimi është edhe e ardhmja edhe perspektiva, ju them se duhet ta votojnë Vetëvendosjen.

Lajmi.net : Ju kërkoni qeverisjen “tash”, por ka opinione  se Vetëvendosje nuk është e gatshme për ta udhëhequr vendin?

Molliqaj:  Nga debatet e deritanishme një gjë e kanë pranuar të gjithë, se alternativa e qeverisjes së Vetëvendosjes, është  programi qeverisës më i detajuari, më i sakti dhe më i duhuri, edhe kundërshtarët na e kanë pranuar këtë. Jemi serioz në raport me programin. Sa i përket listës së Vetëvendosjes, po ashtu në gjitha diskutimet publike që janë bërë edhe kundërshtarët tonë edhe analistët që s’pajtohen me Vetëvendosjen, kanë thënë se lista e Vetëvendosjes është më  e mira… Ne jemi bërë gati me qeverisë edhe jemi gati me qeverisë, për shkak se kemi programin, kemi njerëzit dhe për këtë shkak vlerësoj se Kosova ka nevojë për ne. Për këtë arsye, ne po themi ‘tash me lëvizjen’, jo pse lëvizja ka nevojë me qeverisë, por qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një qeverisje tjetër.

Lajmi.net : Ashtu sikurse partitë tjera, edhe ju keni pasur disa prurje te reja para fushatës, kryesisht nga shoqëria civile. Sa e kanë pasuruar Vetëvendosjen këto ardhje?

Molliqaj:  Mendoj se jemi subjekti i vetëm që e kemi bërë ndryshe angazhimin e njerëzve në Vetëvendosje. E kemi filluar menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2010. Bashkimi i FER-it, në vitin 2011, me Vetëvendosjen është hapi i parë i hapjes së Vetëvendosjes dhe përfshirjes së njerëzve të cilët pajtohen me konceptin e Vetëvendosjes, pastaj kanë ardhur shumë të tjerë…. Pra ardhjet e njerëzve në Vetëvendosje kanë qenë të vazhdueshme nuk kanë qenë vetëm para zgjedhjeve, është intensifikuar para zgjedhjeve dhe mendoj që angazhimi i këtyre njerëzve ka rezultuar i suksesshëm…

Lajmi.net : Si mendoni se do të dilni pas këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh se në zgjedhjet lokale keni shënuar rënie në nivel kombëtar?

 Molliqaj:  Mendoj që analistët në zgjedhje lokale janë ngut dhe nuk e kanë kuptuar dallimin e madh që është mes zgjedhjeve lokale dhe nacionale, tash të njëjtit e kanë kuptuar dallimin, për veç kur është votë klienteliste edhe e vjedhur atëherë është e njëjtë… Mendoj që kanë ndryshuar shumë rrethana përveç që vota dallon, ne tash po qeverisim në Prishtinë, tashmë e kemi ndërtuar alternativën tonë qeverisëse, e kemi prezantuar, e kemi bërë një fushatë shumë të fuqishme dhe në të gjitha sondazhet që po bëhen në Kosovë, rezultati po ngushtohet… Ne jemi duke bërë përgatitje që rezultatin e ngushtë me përmbysë. Dje ka qenë një sondazh cili është publikuar, ku është folur për preferencat e qytetareve në raport me partitë, e jo këndë do ta votojnë, dhe në këtë sondazh, ne kemi dalë subjekti që është më i preferuari për qytetarët e Republikës së Kosovës sa i përket zgjidhjes se problemeve. Qytetarët janë shumicë që mendojnë që subjekti Vetëvendosje është subjekti që mundet më shumë me ua zgjidhë problemet. Në momentin që këta qytetarë do ta marrin veshë që janë shumicë, atëherë Vetëvendosje do të jetë subjekti i parë… Ne jemi shumë optimistë për shkak se për ditë e më shumë po lëviz opinioni, aktivitetet e Vetëvendosjes janë ç’do ditë më masive, optimizmi është gjithnjë e më i madh, strukturat tona janë mobilizuar, kemi diku mbi 8 mijë veta që janë aktivë sot nëpër Kosovë , dhe në kuadër të kësaj, ne po presim që do të kemi një ndryshim thelbësor në Kosovës. Ndryshimi thelbësor do të ndodh duke na bërë neve, subjektin e parë i cili pastaj do të fillon bisedimet për ta krijuar qeverinë e ardhshme dhe për të qeverisur vendin, sepse mendoj që ka nevojë për një qeverisje të re në këtë vend.

Lajmi.net : Keni thënë edhe më herët se në koalicion do të hyni vetëm nëse dilni të parët, por kush mendoni se mundë të jetë partneri i juaj, PDK apo LDK, nëse Vetëvendosje i  fiton zgjedhjet e 8 qershorit?

Molliqaj:  Po presim prej qytetarëve me na jep përgjegjësinë neve. Vetëvendosja në asnjë moment politik kur nga qytetarët i është dhënë përgjegjësia, nuk i ka ikë asaj. Na kanë dhënë përgjegjësinë me qenë në opozitë, kemi qenë opozita më e mirë, më konstruktive e më përmbajtjesore. Na kanë dhënë përgjegjësinë me qeverisë me Prishtinën, po qeverisëm me Prishtinën… Vetëvendosja është bërë gati me qeverisë dhe ne do të qeverisim pas këtyre zgjedhjeve, ne jemi gati me qeverisë, ne po duam me qeverisë, sepse mendojmë që është e rëndësishme qeverisja e Vetëvendosjes. PDK duhet të shkojë në opozitë. PDK nuk duhet me qenë pjesë e qeverisjes, për shkak se ka qeverisë shtatë vitet e fundit dhe ka qeverisë jashtëzakonisht keq, jo se të tjerët kanë qeverisë më mirë po këta kanë qeverisë jashtëzakonisht keq. Në këtë kuptim, ne nuk mund të bëjmë koalicion me PDK-në, sepse mendoj së këta duhet të shkojnë dhe duhet ndryshimi. Sa i përket të tjerëve, ne duhet të ulemi të diskutojmë pozicionin tonë programor, por në fund, vendimin përfundimtar do të vendoset nga anëtarësia e Vetëvendosjes. Nëse anëtarët tonë do ta votojnë një draft të diskutimeve që e kemi pas, atëherë do të jetë koalicioni, nëse jo nuk do të jetë. PDK duhet të shkojë në opozitë, Vetëvendosje duhet me qeverisë, e për me qeverisë ne duhet më pas partnerë qeverisës. Normalisht janë të rëndësishme parimet dhe programi, besueshmëria, por ne nuk i ikim përgjegjësisë nëse qytetarët na japin besimin ne nuk mund të themi se s’kemi me këndë me qeverisë. Ne do të qeverisim me këtë vend do ta bëjmë ndryshimin dhe ai ndryshim, do të jetë shumë i vlefshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.