Molliqaj tregon arsyet pse nuk iu besojnë hetimeve vendore për Deharin

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj në një konferencë për media ka bërë të ditura arsyet se pse familja e Astrit Deharit dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk i besojnë hetimit të vendorëve për  vdekjen së Deahrit në burgun e Prizrenit.

Lajme

10/11/2016 13:40

Ai ka përmendur policinë, prokurorinë dhe gjykatat si institucionet të përfshira në këtë rast e që nuk mund tu besohet.

Molliqaj ka përmendur deklaratën e komandant të Stacionin Policorë të Prizrenit, Nexhmi Krasniq i cili ka thënë se Dehari ka vdekur nga përdorimi i medikamenteve.

Ai ka thënë se një deklarim i tillë nuk mund të jetë rastësi, i paqëllimshëm dhe i papërgjegjshëm.

“Një deklaratë  e dhënë nga një polici e udhëhequr nga një njeri si Krasniqi është e papranueshme për familjen dhe Vetëvendosjen, të kryhen hetimet nga policia e Kosovës pa prezencën e hetuesve ndërkombëtar”, ka thënë Molliqaj.

Ai po ashtu ka përmendur edhe kryeprokurorin e Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, që sipas tij në këtë pozitë është emëruar nga Adem Grabovci.

“Sylë Hoxha është emëruar kryeprokuror nga Adem Grabvoci, dhe qysh mundemi ne mi besu atij që do të jetë i drejtë në këtë proces”, është shprehur Molliqaj.

Ai ka thënë se nuk mund ti besohet as gjyqtarit Vehbi Kashtanjeve i cili pa fakte po i mban në burg aktivistët e Vetëvendosjes, si dhe ka gënjyer publikisht kur është shprehur, se nuk ka dijeni nëse ka pasur kërkesë nga aktivistët të Vetëvendosjes për ta vizitaur tashmë të ndierin Astrit Deharin në burg.

Molliqaj ka thënë se të gjitha kërkesat për vizita janë bërë me pëlqimin e familjes dhe janë bërë në bazë të procedurave ligjore.

“I bëjmë thirrje që të publikojë të gjithë kërkesat për vizite në burgun e Prizrenit dhe të gjitha ato që janë refuzuar. Nuk mund ti besojmë një gjyqtari që gënjen publikisht”, tha Molliqaj.

Ai ka thënë se nuk mund ti besohet as Metu Biraj prokuror në rastin e Astrit Deharit, i cili  është nën hetime për shkelje të ligjit.