Molliqaj: Për pushtet, LDK e pranon edhe dialogun edhe PDK-në

Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj ka thënë se LDK don pushtet.

Lajme

14/01/2019 21:08

Sipas tij për këtë çmim, partia e Isa Mustafës e pranon edhe dialogun me Serbinë e edhe bashkëpunimin me partinë e Kadri Veselit.

Ai ka shtuar se PSD u bë pjesë e dialogut duke refuzuar ministritë dhe pushtetin që iu ofrua.

Postimi i plotë në Facebook:

LDK E PRANON EDHE DIALOGUN, EDHE PDK-NË, MJAFTON QË TË MARRË PUSHTET PËR VETE

Lajm i mirë që LDK paska bërë lëvizje drejt përfshirjes në dialog me Serbinë.

Por përderisa për PSD-në asnjëherë dialogu nuk është shfrytëzuar për të fituar pushtet për vete, për LDK-në synimi dhe kushti i vetëm për t’u përfshirë qenkan nëse ajo merr pushtet. Qoftë përmes zgjedhjeve, qoftë pa zgjedhje por vetëm me riformatim të qeverisë – siç deklaroi sot Isa Mustafa.

PSD-së i janë ofruar ministri e pushtet, por ne kemi zgjedhur ta refuzojmë përfitimin partiak, për të vendosur kushte tjera, që i shërbejnë Kosovës. LDK-ja nuk paska kushte. Thjeshtë po thotë që për t’u përfshirë në dialog, ajo duhet të jetë në pushtet. Madje nuk paska më rëndësi edhe nëse në këtë pushtet është edhe PDK-ja.

Është lajm i mirë avancimi i qëndrimit të LDK-së, por unitetin për ta përfaqësuar Kosovën në dialog, duhet ta krijojmë duke vendosur parime e vlera, e jo duke e shfrytëzuar procesin për të marrë pushtet për vete. /Lajmi.net/