Molliqaj e Kurteshi e kanë vizituar Astritin në paraburgim (DOKUMENT)

Në bazë të lejeve të lëshuara nga gjyqtari Vehbi Kashtanjeva, në gjashtë nga shtatë vizitat që Astrit Deharit iu bënë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren familjarët u shoqëruan nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.

Lajme

10/11/2016 17:50

Aktivisti tash i ndjerë i Lëvizjes “Vetëvendosje” Astrit Dehari gjatë 68 ditëve në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka pasur gjithsej 7 vizita.

Në të gjitha vizitat të pranishëm ishin prindërit dhe gruaja e tij, e në gjashtë prej tyre familjarët shoqëroheshin nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.

Për shtatë javë, çdo të enjte, të ndjerit Dehari i kanë shkuar në vizitë familjarë, të shoqëruar nga aktivist të subjektit që ai i takonte dhe secila vizitë ka zgjatur 60 minuta.

KALLXO.com ka siguruar të gjitha lejet e lëshuara për vizitë Deharit nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, në të cilat shihet se u është lejuar vizita përveç familjarëve edhe aktivistëve të VV-së.

Vizita e fundit kishte ndodhur dy ditë para se Dehari të vdiste në rrethana të pasqaruara. Atë sipas dokumentacionit të siguruar e kishin vizituar prindërit Avni e Xhemile Dehari, gruaja Arta Boshtraj dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sami Kurteshi.

Kjo vizitë, referuar lejes së lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva, është bërë më 3 nëntor dhe ka zgjatur një orë.

Në vizitën e parafundit-atë të datës 27 tetor, veç tre familjarëve të lartpërmendur (prindërve dhe gruas), sipas lejes së lëshuar nga nga gjyqtari Kashtanjeva, i pranishëm ka qenë edhe sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj.

Dje gjyqtari Kashtanjeva mohoi se u dha leje zyrtarëve të “Vetëvendosjes” ta vizitojnë Deharin në burg, por sot zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi tha se ky gjyqtar mund të ketë lëshuar leje edhe për vizitat e Kurteshit dhe Molliqajt, por mund të mos i kujtohet kjo gjë pasi lëshon shumë leje për vizita te të paraburgosurit.