Moisiu pro ligjit të mbetjeve: Situata ka ndryshuar

Ish-Presidenti, Alfred Moisiu ka qenë një nga kundështarët më të fortë të ligjit të mbetjeve që nga koha kur ishte në detyrën më të lartë të shtetit.

Lajme

28/09/2016 20:20

“Historia e kësaj ka filluar që në 2004 kur unë isha kryetar shteti dhe u kam thënë përfaqësuesve të shoqërisë civile që kur të shtriheni ju te kamioni do shtrihem dhe unë. por atëherë ishte problemi për të importuar mbetje për t’i djegur në Shqipëri ishte krejt tjetër problem. Edhe në 2012 isha pro referendumit dhe firmosa i pari sepse ligji ishte total, ishte global, ndërsa tani kemi të bëjmë me një ligj që specifikon qartë se çfarë mbetjesh do të importohen, të cilat janë klasifikuar si lëndë e parë, e dorës së dytë”, thotë ish-Presidenti.

Moisiu thotë se qëndrimi i tij për ligjin nuk ka ndryshuar tani që drafti u riaktivizua, por disa muaj më parë.

“Kur kam vizituar një nga fabrikat e riciklimit dhe u kam sugjeruar atyre drejtuesve që duhet ju vetë kështu siç ma shpjeguat mua duhet t’ua shpjegoni edhe njerëzve sepse për mua ju keni të drejtë dhe unë do ju mbështes”, deklaron ai.

Por ka dhe një arsye tjetër se pse ish-presidenti ka ndryshuar qëndrim.

“Institucionet e shtetit nuk janë më ato që kanë qenë, aparaturat po ashtu, aq më tepër që ligji përcakton tre pika për hyrjen e tyre dhe në këtë mënyrë ka siguri. Ne, po të vazhdojmë kështu izolohemi, siç u izoluam në kohën e Partisë së Punës dhe skafeve, por kështu nuk mund të ecet përpara. Shqipëria do të zhvillohet”, deklaron ish-kreu i shtetit.

Në fund, ish-Presidenti ka dhe një mesazh për qytetarët dhe shoqërinë civile.

“Unë mendoj që ne duhet të kemi më shumë besim tek institucionet edhe kur ato s’janë në rregull ne duhet t’u kërkojmë të jenë në rregull sepse ndryshe ne s’do bëhemi shtet kurrë”, thotë ai./ TCh